VIDEO/ S’ka përmbysje, Navas frenon Messin. PSG dhe Liverpool në çerekfinale

schedule22:54 - 10 Mars, 2021

schedule 22:54 - 10 Mars, 2021

Nuk ka surpriza, PSG dhe Liverpool janë skuadrat e radhës që kualifikohen në çerekfinalet e Champions League, duke iu bashkuar Portos dhe Borussia Dortmund. Ndeshje dramatike në “Parc des Princes” mes PSG dhe Barcelonës, sfidë që përfundoi në barazim 1-1.

Nënkampionët e edicionit të kaluar, kishin fituar 1-4 në “Camp Nou” dhe kalojnë në raundin tjetër. Barcelona tentoi përmbysjen e madhe, por nuk ia doli dot. Kylian Mbappe kaloi vendasit në avantazh pas gjysmë ore lojë, teksa Leo Messi barazoi gjashtë minuta më pas falë një eurogoli.

Sallake fenomenale e “pleshtit” dhe topi në rrjetë. Katalanasit morën zemër dhe në minutat shtesë fituan një penallti. Leo Messi mori përsipër ekzekutimin, por Keylor Navas kreu një pritje të bukur. Topi u përplas në traversë dhe u rikthye në lojë.

Messi kishte gjashtë vite që nuk humbiste penallti në Champions League. Për herë të fundit dështoi përballë Joe Hart të Manchester City në shkurtin e 2015-s, viti i fundit kur Barcelona triumfoi në turneun e më të mirëve.

Një gol që mund të ndryshonte ndeshjen, teksa pjesa e dytë nuk prodhoi asgjë. Barcelona tentoi, por nuk ia doli të shënojë një gol shprese. Përfundimisht 1-1, PSG në çerekfinale dhe Barcelona në shtëpi. Në tetë skuadrat më të mira të Evropës edhe Liverpooli i Klopp.

Krizë në kampionat, por jo në Champions për kampionët e Anglisë. “The Reds” fituan 2-0 ndaj Leipzig, i njëjti rezultat që u regjistrua edhe në takimin e parë, teksa ndeshja u luajt sërish në “Puskas Arena” të Budapestit. Momo Salah dhe Sadio Mane realizuan golat e fitores brenda katër minutave (70′, 74′). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!