Të gjithë e dimë se një luftë bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë do të ishte katastrofike. Por sa shkatërruese është saktësisht? Çfarë do të ndodhë? A ka fitues dhe humbës dhe si varen shanset e dikujt për të mbijetuar nga vendi ku jeton?
Max Tegmark, professor dhe studiues i inteligjencës artificiale në MIT (Instituti i Teknologjisë në Masachusetts), bashkëpunoi me një ekip shkencor për të krijuar një nga simulimet më realiste të efekteve të një lufte bërthamore, duke përdorur të dhëna dhe duke e vizualizuar atë.
Për rezultatin përfundimtar, shkencëtarët kombinuan një modelim të detajuar të objektivave bërthamore dhe trajektoreve të raketave, shpërthimeve dhe mënyrës sesi tymi i karbonit prodhohet, ngrihet dhe përhapet në të gjithë Tokën, duke ndryshuar klimën dhe duke shkaktuar zi buke masive.
Siç tregohet në videon, e cila u publikua në Time, nuk ka shumë rëndësi se kush e fillon luftën: kur njëra palë lëshon raketa bërthamore, pala tjetër i zbulon ato dhe shpërthen bërthamat e veta përpara goditjes, raporton abcnews.al.
Në simulim, raketat balistike lëshohen nga nëndetëset amerikane dhe norvegjeze në perëndim të Rusisë, ndërsa rusët fillojnë të godasin SHBA-në nga Kanadaja veriore.
Që në goditjet e para krijohet një puls elektromagnetik që shkatërron pajisjet elektronike dhe sistemet e telekomunikacionit. Sulmet gradualisht synojnë qendrat e komandës dhe kontrollit dhe objektivat bërthamore. Raketave balistike ndërkontinentale me bazë tokësore u duhen rreth gjysmë ore për të arritur objektivin.
Qytetet e mëdha janë në shënjestër edhe sepse ato përmbajnë instalime ushtarake dhe për të penguar rimëkëmbjen e armikut pas luftës. Çdo sulm krijon një goditje bërthamore po aq të nxehtë sa bërthama e diellit, e ndjekur nga një re kërpudhe radioaktive, raporton abcnews.al.
Këto shpërthime të forta shkatërrojnë njerëzit aty pranë dhe shkaktojnë zjarre. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë aftësi bërthamore dhe janë përgjegjëse sipas Nenit 5 të NATO-s për të mbrojtur SHBA-në.
Pra, ata do të ishin një objektiv për Rusinë.
Fatkeqësisht, vëren Max Tegmark në Time, hulumtimet tregojnë se shpërthimet, nuk janë pjesa më e keqe. Tymi i zi i karbonit dhe stuhitë bërthamore shkaktojnë dimrin bërthamor. Bomba atomike e Hiroshimës shkaktoi një stuhi të tillë bërthamore, por bombat e sotme me hidrogjen janë shumë më të fuqishme.
Një qytet i madh si Moska, me gati 50 herë më shumë popullsi të Hiroshimës, mund të prodhojë shumë më tepër tym, i cili, i ngrohur nga rrezet e diellit, ngrihet si një tullumbace dhe qëndron lart deri në një dekadë.
Rrymat e forta në një lartësi kaq të madhe do të duheshin vetëm disa ditë për të përhapur tymin në pjesën më të madhe të hemisferës veriore.
Kjo do të çojë në ngrirjen e Tokës, dimrin bërthamor, i cili do të shkaktojë temperaturat deri në 35 gradë Celsius në disa zona. Prodhimi dhe të korrat do të shkatërrohen.
Sipas një studimi të fundit, mbi 5 miliardë njerëz mund të vdesin nga uria, duke përfshirë rreth 98% deri në 99% të popullsisë në SHBA, Europë, Rusi dhe Kinë. Arsyeja është se pjesa më e madhe e tymit të karbonit të zi qëndron në hemisferën veriore, ku prodhohet.
Në përfundim Max Tegmark thotë: “Është e rëndësishme të theksohet se ka ende pasiguri të mëdha, kështu që ndikimi aktual humanitar mund të jetë ose më i mirë ose më i keq.
Natyrisht ne nuk e dimë saktësisht se sa njerëz do t’i mbijetojnë një lufte bërthamore. Por nëse është edhe aq e keqe sa parashikon ky studim, nuk ka fitues, vetëm humbës.’
/abcnews.al