Pas vapës, stuhi e breshër/ Moti i keq përfshin disa qytete të vendit

schedule19:59 - 26 Gusht, 2024

schedule 19:59 - 26 Gusht, 2024

SHQIPËRI-Moti i keq ka përfshirë disa qytete në vend mbrëmjen e kësaj të hënë pas temperaturave të larta ditët e fundit. Rrebeshet e shiut dhe të breshrit goditën Elbasanin, Korçën, Fierin, Durrësin e Tiranën.

Probleme nga era e fortë dhe stuhia u konstatuan në Elbasan ku pati pemë të rrëzuara dhe rrugë të përmbytura. Edhe në juglindje të vendit stuhia dhe era e fortë shkaktuan probleme në fshatin Sheqeras dhe Orman të bashkisë Maliq.

Në rrugët kryesore u rrëzuan disa plepa, të cilët bllokuan për disa momente qarkullimin. Normalizim i lëvizjes erdhi pas ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës të cilët mundësuan hapjen e rrugës.

 

Qyteti u Durrësit u nxi nga retë e zeza ndërsa në qiell shfaqeshin rrufetë. Për disa minuta edhe Tirana u godit nga një stuhi e fortë ere dhe breshëri. Fatmirësisht në kryeqytet nuk pati situate problematike. Pavarësisht reshjeve tepër intensive sasia e madhe e ujit kulloi brenda një kohe të shkurtër ndërsa qarkullimi vijoi pa probleme.

Pas ndryshimit të motit temperaturat pësuan një rënie të ndjeshme. Sipas meteorologëve moti pritet të jetë i paqëndrueshëm gjatë kësaj jave. E marta dhe e mërkura do të karakterizohen nga një mot më i qëndrueshëm, ku pjesa më e madhe e vendit do të jetë në dominim kthjellimesh.

Ndërsa ditën e enjte dhe të premte, rritja e lagështirës në ajër do të krijojë mundësi për reshje me intensitet të ulët dhe shtrëngata lokale të shkurtra, kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave malore. Në fundjavë pritet rritje sërish e temperaturave./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!