LEZHË- Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin e Lezhës, ku në shënjestër ka qenë automjeti i një punonjësi policie.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit kur një sasi eksplozivi dyshohet se është vendosur në një automjet tip “Volksëagen Golf”, i cili ishte i parkuar. Mjeti rezulton në pronësi të shtetasit Gent Gjetja, 41 vjeç, efektiv i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Burime konfirmojnë për abc neës se pronari i mjetit shërben prej vitesh në strukturat e hetimit në Policinë e Lezhës. Vetë efektivi ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe se nuk ka dijeni për persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Gjithashtu, mësohet se në zonën ku ndodhi shpërthimi nuk ka kamera sigurie.
Pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur kontrolle në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /abcnews.al/


