Policia e Fierit ka zbuluar vendin ku fshihej autori i vrasjes me thikë të adoleshentit nga fshati Hoxharë dhe pas negociatave 17-vjeçari është dorëzuar. Ky i fundit kishte goditur me thikë shokun e tij pas një konflikti për motive të dobëta.
Dorëzohet në polici autori që goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij në Fier. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur kryqëzimi i Zogut të Zi, pranë tregut të fruta-perimeve. Viktima me iniciale D.V nga fshati Hoxharë është gjetur i plagosur në trotuar nga autoambulanca e urgjencës, e cila sipas burimeve nga spitali i fierit po kalonte aty rastësisht.
Kryeinfermieri i urgjencës e ka marrë adoleshentin nga trotuari ku shtrihej i gjakosur dhe e ka transportuar në spital. I riu është dërguar menjëherë në sallën e operacionit për ndërhyrje kirurgjikale, por ka qënë tepër vonë për t’i shpëtuar jetën.
Mjekët thanë se 16-vjeçari kishte marrë plagë të rënda nga mjeti prerës thikë në pjesët e sipërme të trupit. Policia u vu menjëherë në kërkim të autorit. Mësohet se 17-vjeçari me inicialet F.G ishte fshehur tek shtëpia e një të afërmit te tij. Aty pas negociatave me policinë ka pranuar të dorëzohet.
Adoleshenti dyshohet se e ka goditur me thikë bashkëmoshatarin pas një sherri për motive të dobëta. Policia tha se autori dhe viktima ishin shokë.
/abcnews.al