Kryeministri Edi Rama ka ndarë një videomesazh në Facebook ndërsa thekson se pensionistët janë në fokus kryesor të qeverisë. Në videomesazh, Rama i është përgjigjur komenteve kritike, të një ndjekësi, lidhur me pensionistët.
Rama ritheksoi se tashmë përveç bonusit që pensionistët morën për Vitin e Ri, do të marrin dhe një tjetër bonus siç edhe është vendosur tashmë, në pranverë.
“Borxhi i kësaj shoqërie ndaj pensionistëve qoftë atyre që jetuan diktaturën, qoftë atyre që jetuan rrëmujë pa shtet të viteve të tranzicionit nuk lahet kurrë. Por nëse ka një qeveri që mund të bëjë më shumë për pensionistët është qeveria e Partisë Socialiste. Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit të ketë një pension të konsiderueshëm më të lartë se kush ka dalë më parë. Është kjo qeveri që u dha pensionistëve pak javë më parë plot 100 milionë euro, si bonus për Vitin e Ri dhe do t’ju japë për herë të parë bonus të dytë në pranverë dhe do të mbajë dy bonuse në vijë. Këto janë fakte të kujdesit të vazhdueshëm për pensionistët të cilët ne do të ndajmë çdo hap pjesën e tyre të merituar nga rritja e pandalshme e ekonomisë. Ata që s’kanë dhe s’do kenë gjë në dorë, që nga një katran i madh tek ca katranë të vegjël, ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtar të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xha Ferrit. Por mos ta harrojë askush, pensionistët nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë lesh e li dhe dinë aritmetikën më mirë se sa “lulët” e ri dhe e dinë se ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka pasur dhe as nuk gjen dot për ja 10 vite të tjera”, ka thënë më tej kryeministri Rama.
/abcnews.al/