VIDEO/ “Pse nuk luan, pse nuk luan”, Mourinho “show” në Instagram dhe konferencë

schedule08:49 - 30 Tetor, 2020

schedule 08:49 - 30 Tetor, 2020

Tottenham u mposht një ditë më parë nga Antwerp në ndeshjen e Europa League. Trajneri Jose Mourinho kishte bërë rotacion dhe lojtarët e zgjedhur e kanë zhgënjyer atë. Ai është i qartë, teksa theksoi pas ndeshjes se tani për të zgjedhjet e tij janë më të lehta dhe gazetarët mund të kursehen me pyetjet se pse ndonjëri nuk luan. Gjithçka nisi kur portugezi u pyet për Dele Alli.

“Nuk dua t’i analizoj lojtarët individualisht. Është e drejtë kur thuhet se lojtarët që paraqiten keq ndikojnë në ekip, por gjithashtu edhe një paraqitje e keqe e ekipit ndikon te paraqitja individuale. Nuk më takon të merrem me emra të veçantë dhe t’i them këtu. Ju mund ta bëni vetë.

Gjithmonë më thoni: ‘pse nuk luan ky, pse nuk luan ky’. Ndoshta nuk do të më pyesni për disa javë, pasi e keni përgjigjen. Ju e dini cila është skuadra jonë më e mirë. Gjithmonë më pëlqen të mendoj se lojtarët e meritojnë një mundësi. Kemi shumë lojtarë dhe me elementë shumë të mirë.

Është përgjegjësia ime t’u jap atyre mundësinë, por është gjithashtu mundësia e tyre ta kapin rastin me të dyja duart dhe të kërkojnë më shumë. Kjo ndeshje tregon se zgjedhjet e mia në të ardhmen do të jenë më të lehta. Ka një person që mund të fajësohet dhe ai jam unë. Unë e zgjodha formacionin.

U mundova të përmirësoj situatën në pjesën e parë, por nuk ishte mjaftueshme. Ishte e vështirë ta ndryshohej. Edhe Antwerp gjithashtu ndryshoi. Pjesën e parë lanë shumë hapësirë mes linjave dhe mund t’i ndëshkonim, por nuk e bëmë.

Pjesën e dytë u përmirësuam, por ata luajtën ndryshe dhe i zvogëluan hapësirat. Në fund kundërshtari mori atë që meritonte. Pajtohem me rezultatin, ekipi më i mirë fitoi dhe më i keqi humbi”, përfundoi Mourinho, i cili tani duhet të mendojë për ndeshjen e radhës në Premier League.

Ndërkohë një mesazh ai e ka lëshuar edhe përmes një postimi në “Instagram”. “Special One” pas ndeshjes shkruante: “Paraqitjet e këqija meritojnë rezultate të këqija. Shpresoj që çdo person në këtë autobus të jetë i mërzitur sa unë. Nesër (sot) në orën 11:00, të gjithë në stërvitje”. /abcnews.al