Protesta e thirrur nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha për të nxjerrë pasardhësin e tij nga zyra degjeneroi në dhunë. Protestuesit tentuan në çdo mënyrë për të hapur dyert e selisë blu, duke përdorur mjete rrethanore.
Nuk munguan as gurët gjë që solli thyerjen e pothuajse të gjithë xhamave në fasadën e godinës. Nga pamjet e siguruara nga abcnews.al shihet momenti teksa protestuesit të ndihmuar nga një shkallë qëllojnë me gurë zyrën e kryetarit Lulzim Basha, që ndodhet në katin e dytë.
Protesta e djeshme zgjati tre orë. Rreth orës 13:00 ndërhyri policia për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur gazlotsjellës.
Partia Demokratike u kthye dje një “skenë krimi” për prokurorinë, ndërsa policia ka shoqëruar 34 persona për incidentet e shkaktuara. Gjithashtu, janë proceduar penalisht Gazment Bardhi dhe Flamur Noka. Bardhi akuzohet për lëndën nga bombolat anti-zjarr që është hedhur nga brenda godinës së PD, ndërsa Noka për tubim të paligjshëm. g.v/abcnews.al