Dinamo më në fund u kthye në Superiore dhe drejtuesit e dinë mirë se për të mbijetuar duhen ide të reja brenda dhe jashtë fushës. Përmes një postimi klubi blu njofton se nesër do të prezantohet “fytyra” e re e klubit, pa përcaktuar saktësisht çfarë.
Nga video mund të kuptojmë se bëhet fjalë për logo të re dhe një tjetër nivel pune përsa i përket marketingut. Klubi për momentin është pa një seli dhe nesër pritet të prezantohet lokacioni i ri i 18 herë kampionëve të Shqipërisë.
NJOFTIMI – Një epoke e re për Klubin Dinamo sapo ka lindur… Pas shumë e shumë vështirësive në Kategorinë e Parë, klubi Dinamo rikthehet në Kategorinë Superiore për të synuar atë ç’ka klubi ka pasur gjithmonë si traditë.
Së pari, për drejtuesit e rinj rëndësia kryesore është rikrijimi i një klubi serioz, me ambiente për stërvitje, ndeshje dhe zyra të stafit dhe grupit të lojtarëve, ashtu sikurse i takon klubit të Dinamos, si një ndër klubet më të titulluar në Shqipëri.
Asnjë ndryshim nuk është i lehtë, por gjithmonë mendohet për të krijuar baza të forta për një të ardhme të suksesshme. Marketingu sot është një pikë shumë e fortë e zhvillimit të biznesit, prandaj me shumë kënaqësi, ju njoftojmë që në datën 15 Qershor ora 17:00 prezantojmë imazhin e ri të Futboll Klub Dinamo. /abcnews.al