VIDEO/ “Plazh po, stadium jo”, te Hapoel Tel Aviv nuk pyesin për rregulla

schedule11:29 - 3 Qershor, 2020

schedule 11:29 - 3 Qershor, 2020

Tërbohen drejtuesit e futbollit dhe Ministria e Shëndetësisë në Izrael. Shkak është bërë një ndeshje futbollit, mes Hapoel Tel Aviv dhe Beitar Jerusalem. Triumfi 3-0 i skuadrës vendase u shoqërua me festime pas ndeshjes.

Futbollistët nisën të këndonin dhe brohorisnin me tifozët dhe vetëm një portë i ndante në “Bloomfield Stadium”. Klubi izraelit rrezikon të gjobitet për këtë ngjarje, pasi “OK” që të luhen ndeshjet është dhënë që të mos ketë tifozë në stadiume.

Kjo nuk do të thotë që të grumbullohen njerëz për të parë ndeshjet së bashku e më pas edhe për të festuar. Tifozët janë kundër vendimit që ndeshjet të luhen me dyer të mbyllura dhe një prej tyre për televizionin publik Kan: “Ne duam të jemi këtu. Pse mund të shkojmë në plazh dhe jo në stadium?”.

Kjo që ndodhi do të nxisë debate në lidhje me ndeshjet në Izrael, ndërkohë që Hapoel Tel Aviv zor t’i shpëtojë gjobës. Federata pritet të kërkojë që të ketë numër më të madh policësh gjatë zhvillimit të ndeshjeve, për të shmangur grumbullime të tilla.

Frika është e madhe që e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në takimin që luhet sot (19:45), mes Maccabi Tel Aviv dhe Maccabi Haifa, në të njëjtin stadium. Pikërisht në këtë impiant, në shkurt dolën dy tifozë me COVID-19 dhe kjo bëri që shumë të tjerë të futen në karantinë dhe kampionati të ndalej. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!