VIDEO/ Plas mes prindërve dhe mësuesve pas helmimit tek “Janaq Kilica”: Drejtoresha thotë se po vijon mësimi

schedule09:48 - 5 Mars, 2020

schedule 09:48 - 5 Mars, 2020

Tensioni është i madh në dyert e shkollës “Janaq Kilica” në Fier pasi në hyrje të saj u pa se shkoi sërish një autoambulancë duke nxjerrë një nxënëse me barrelë.

Pas kësaj, prindërit e shqetësuar kanë shkuar tek dera e shkollës duke kërkuar që të takojnë fëmijet e tyre, por janë ndaluar të futen nga drejtoresha e DAR, mësuesit dhe policë.

Kjo ka shkaktuar tension mes tyre, ndërsa drejtuesit e shkollës theksojnë se në brendësi të saj mësimi po vijonte normalisht dhe se nuk ka asgjë për tu shqetësuar, shkruan abcnews.al.

Por, kjo nuk i ka qetësuar prindërit, një pjesë e të cilëve shprehen se janë telefonuar nga fëmijët e tyre që u kanë thënë se janë nxjerrë në ambientet jashtë shkollës sepse ndjenin vështirësi në frymëmarrje.

Situata është ende e paqartë në Fier, ku pas helmimit të 60 nxënësve dje, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës pretendojnë se mësimi po vijon normalisht, ndërsa prindërit nuk besojnë një fakt të tillë duke iu referuar atyre që u thonë fëmijët në telefon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!