“Video, përpjekje e Lekës për t’u viktimizuar”/ Sociologu Dragoti: Provat do t’i përdorë në gjykatë

schedule23:38 - 7 Mars, 2024

schedule 23:38 - 7 Mars, 2024

Sociologu Edmond Dragoti thotë se video e regjistruar nga Princ Leka, ku shihej se konfliktohej me bashëshorten e tij, Elia Zaharia, me të cilin ka nisur një proces divorci, është bërë nga ai për ta paraqitur veten si viktimë në sytë e opinionit publik.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Dragoti u shpreh se Leka do t’i përdorë provat në gjykatë.

Sipas Dragotit, prej kohësh, nuk ka funksionuar komunikimi mes Elia Zaharisë dhe Leka Zogut.

“Kemi të njëjtat konflikte, të njëjtin komunikim, kemi dhunë të pranishme, të gjitha elementët e zakonshëm që janë pjesë e jetës së gjithësecilit. Natyrisht, tregon një jetë të zakonshme familjare, ku dhuna është e pranishme herë pas here. Ky fakt tregon se ka një kohë të gjatë ku komunikimi nuk funksionon normalisht. Duken që kanë një kohë të gjatë që komunikimi mes tyre nuk funksionon më. Ata janë ndarë emocionalisht përpara shumë kohësh. Video është një përpjekje e princit që jo vetëm të paraqitet si provë, por që të paraqitet te opinioni publik, si një viktimë.

Kjo është e vështirë, të jap gjykim të drejtë, kush është viktima dhe kush është agresori. Ne njohim vetë një pjesë të videos. Secili nga ata mund të jetë viktima ose agresori. Edhe në raste të tilla divorci, mbart me vete një fazë reflektimi të një hakmarrjeje të mundshme”, theksoi ai./abcnews.al