Betejë në fushë, betejë pas saj dhe tani edhe përmes deklaratave. Tërbuni e Egnatia, edhe pse një ndeshje futbolli, ka prodhuar tension e dhunë. Barazimi 1-1 nuk u shkonte për shtat vendasve dhe në fund ka pasur lojtarë të rrogozhinasve që janë goditur.
Sikurse shikohet në videon e siguruar nga ABC News, një person vërsulet ndaj një prej lojtarëve të Egnatias dhe e godet me grusht. Forcat e rendit ishin të pakta dhe mundohen të ndalojnë agresorët.
I pranishëm ishte edhe shefi i Komisariatit të Pukës, Asllan Zhivani (fotoja lart, personi i etiketuar me shigjetën e kuqe). Ai nuk ndërhyn, por vëzhgon nga pranë gjithçka ndodh. Sigurisht sherri u shua më pas dhe lojtarët e Egnatias u ngujuan në dhomat e zhveshjes, në pritje të forcave policore shtesë. /abcnews.al