Në Qukës të Prrenjasit një familje prej gjashtë pjestarësh jeton në një kasolle të rrënuar. Por dy djemtë e saj ndjekin rregullisht mësimin. Vendorët kërkojnë që dikush të ndihmojë këtë familje, e cila kanë nevojë për çdo gjë.
“Zoti vonon dhe shfaqet i varfëri”.
Nga thëniet më të hershme në këtë kasolle gati në shembje Zoti po vonohet.
Brenda saj jetojnë gjashtë jetë njerëzish. Një burrë i sëmurë, gruaja dhe katër fëmijët e tyre.
Kjo është familja e Eduard Blloshmit, në Qukës të Prrenjasit.
“20 vjet kemi, sa vinte rrënohej më keq para 6 vjetësh u shemb ajo pjesa matanë”, thotë Manushaqe Blloshmi.
Dy djemtë shkojnë në shkollë. Varur në grehinën e mureve është një letër. Në të kanë shënuar orarin e mësimeve.
Pjesa tjetër është ajo që shikoni në pamje. Vetëm këtë llampë kanë për të ndriçuar kasollen. Kurse ky është ushqimi me të cilin duhet të përgatitet mëngjesi, dreka dhe darka për familjen Blloshmi.
Në vend të mureve kanë vendosur qylyma e tapetë të vjeter, mbase për të penguar shiun e erën, ose të mos i shohin kalimtarët.
Vendorët kërkojnë ndihmë për familjen Blloshmi. U bëjnë thirrje bizneseve dhe çdo kujt që mundet t’u japë dorën të vegjëlve.
“Kemi siguruar disa të ardhura ndihmë për këtë familje nga kryetari i bashkisë e donacione të ndryshme ftoj gjithë biznesin e zonës që të mbështesin këtë familje për të ardhmen e këtyre fëmijëve”, apelon Administratori i Qukësit, Emirjan Mekshi.
Ndoshta një ditë fëmijët do të kenë shtëpi të re e ushqim me bollëk. Por kurdo të ndodhë, përsëri Zoti është vonuar. /abcnews.al