VIDEO/ Mjafton rrjeta e Sterling, Anglia dominon dhe fiton ndaj Kroacisë

schedule16:51 - 13 Qershor, 2021

schedule 16:51 - 13 Qershor, 2021

Anglia e pati të vështirë nisjen, por në fund ia doli me sukses të fitojë ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të grupit D, falë një goli të Raheem Sterling, me ndeshjen, që u fiksua në shifrat 1-0 në “Wembley”, shtëpia e “Tre Luanëve”.

Një fitore e merituar në tërësi për skuadrën e Southgate, që sulmoi gjatë gjithë kohës, duke shfrytëzuar teknikën dhe shpejtësinë e sulmuesve anësorë, me Foden dhe Sterling aktivë gjatë gjithë ndeshjes.

Në pjesën e parë ishullorët patë disa raste, por më flagrantin e regjistruan me Phil Foden, që goditi shtyllën në minutën e 6, pas një aksioni të shpejtë dhe goditjeje të bukur të talentit të City. Më pas edhe Kroacia kishte një rast të mirë, por Perisic nuk u koordinua në mënyrën e duhur dhe goditi shumë larg kuadratit.

Në pjesën e dytë u luajt e njëjta muzikë. Kroacia më pragmatiste dhe e tërhequr dhe Anglia në sulm për golin e avantazhit. Këtë të fundit e gjetën në minutën e 57. Kalvin Phillips dha një vertikalizim “klinik” për Sterling, që nuk gaboi dhe shënoi një gol mjaft të rëndë.

Anglia vazhdoi të sulmojë edhe pas golit dhe u mundua të krijojë raste, por pa gjetur golin e dytë. Kroacia kishte një rast me Rebic, por jo aq sa për të ndaluar vrullin e “Tre Luanve”. Nuk kishte më gola dhe Anglia merr tre pikë shumë të rëndësishme dhe nis me këmbë të mbarë aventurën e Euro 2020. /abcnews.al