VIDEO/ Mbërrijnë 13 shqiptarët e shpëtuar nga kampet në Siri, priten nga Çuçi në Prishtinë, në total 43 të riatdhesuar

schedule08:52 - 28 Maj, 2022

schedule 08:52 - 28 Maj, 2022

Kanë mbërritur 13 shqiptarët e shpëtuar nga kampet në Siri, duke finalizuar kështu operacionin e katërt për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që gjendeshin në kampet e luftës. 4 gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit. Ata janë pritur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në aeroportin e Kosovës. Bashkë me Çuçin ka qenë edhe homologu i tij Nga Kosova, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi.

“Ju flasim nga aeroporti i Prishtinës ku sapo ka përfunduar një operacion shumë i rëndësishëm për riatdhesimin e 13 shtetasve shqiptarë të Shqipërisë por edhe të shtetasve të Kosovës, në një operacion të përbashkët që kemi pasur me Kosovën.. Sapo ka përfunduar riatdhesimi i kthimit në Shqipëri bashkë me disa shtetas në Kosovë. Ky është operacioni i 4. 43 persona të kthyer nga kampet në Shqipëri”, tha Çuçi.

“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre. Felenderoj këtu partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni. Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra nga tre operacionet e para, të cilat i kemi gjithashtu me partnerë shumë të rëndësishëm të rajonit atje, me partnerët tanë libanezë të koordinimit të shkëlqyer, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb. Me të gjitha këto lista të cilat do t’i përditësojmë akoma më tepër do të bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”, shtoi ministri Çuçi.

Çuçi u shpreh më tej se 13 të riatdhesuarit e këtij operacioni do të riintegrohen sipas një modeli tashmë të konsoliduar pranë një strukture të specializuar “Qendër Pritëse” e cila operon me staf multidisiplinar të trajnuar profesionalisht dhe me përvojë.

“Puna jonë nuk përfundon këtu. Ekipet tona tashmë kanë shumë punë që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë e posaçërisht fëmijët të cilët në asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen. Jemi të bindur se institucionet tona do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. Me këtë t’i afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona”, u shpreh Sveçla.

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve tanë të vyer të SHBA-ve nëpërmjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.

Riatdhesimet e fundit të shtetasve shqiptarë ishin në fund të korrikut të kaluar kur erdhën 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq “Al Hol”. Në mesin e të rikthyerve ishte Brunilda Koçollari me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu, Lavdie Kaca dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani me 3 fëmijë. Prej vitesh me dhjetëra familje shqiptare të indoktrinuar nga rryma fetare u larguan nga Shqipëria për luftën e xhihadit. Me këtë riatdhesim kanë mbetur më pak shqiptarë në këto kampe për të cilët po punohet që të bëhet e mundur rikthimi në atdhe.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!