Spektakël në gjysmëfinalet e para të Europa League, me Manchester United që mposhti Romën me rezultatin 6-2, kurse Villareal ekipin e Arsenalit 2-1. Ekipi i Solskjaer tashmë është me një këmbë në finale, kurse në Londër vendoset finalistja tjetër.
United e nisi në sulm dhe shumë shpejt e zhbllokoi ndeshjen me anë të Bruno Fernandes, i cili mjeshtërisht kaloi portierin e Romës pas pasimit të Edinson Cavanit. “Djajtë e kuq” në festë, por që zgjati pak, pasi një prekje e topit me dorë nga Pogba u konsiderua e parregullt dhe u akordua penallti.
Pellegrini nuk gaboi dhe vendosi baraspeshën, ndërkohë që Edin Dzeko ia doli më pas të shënonte ehde golin që i dha avantazhin skuadrës italiane. Cavani në minutat shtesë iu afrua golit të barazimit, por nuk shënoi i vetëm me portierin.
Gjithsesi uruguaiani nuk fali tre minuta nga nisja e pjesës së dytë, kur shënoi golin e baraziit, ndërsa më pas realizoi edhe të epërsisë. 3-2 dhe më pas festa ishte e gjitha për United, pasi Bruno Fernandes me një penallti që do nxisë debate realizoi në portën e Romës golin e katërt.
Pesë minuta më pas, në të 75’, Paul Pogba, me një goditje me kokë e çoi topin në rrjetë dhe e shënoi emrin në listën e golashënuesve, pasi asistit të të zakonshmit Bruno Fernandes. Spektakli nuk kishte mbaruar, pasi Greenwood realizoi edhe golin e gjashtë dhe të fundit.
NDESHJA TJETËR – Vrullshëm e nisi ndeshjen Villareali, që arriti të ndëshkonte skuadrën e Arsenalit në minutën e pestë me anë të Trigueros. Pa u bërë gjysmë ore lojë, Raul Albiol realizoi me kokë pas një krosi nga këndi dhe spanjollët shkuan në dhomat e zhveshjes të qetë.
Ceballos i komplikoi edhe më shumë gjërat për “Topçinjtë”, pasi u ndëshkua me kartonin e kuq (2 të verdhë) në minutën e 57-të, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak. Gjithsesi Arsenali reagoi dhe fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Pepe.
E para gjuajtje në portë e londinezëve, që deri në fund nuk ia dolën të shmangnin humbjen. Gjithsesi shanset për kualifikim janë të mira, për shkak të golit të shënuar në fushë kundërshtare. Sigurisht kjo arrihet duket fituar në Londër. /abcnews.al