VIDEO/ Makina elektrike bie nga zyra e katit të tretë në Shangai, dy të vdekur

schedule07:25 - 24 Qershor, 2022

schedule 07:25 - 24 Qershor, 2022

Prodhuesi kinez i makinave elektrike Nio thotë se dy persona humbën jetën kur një nga automjetet e saj ra nga kati i tretë i selisë së saj në Shangai.

Një anëtar i stafit dhe një person nga një kompani partnere vdiqën në aksident.

Incidenti ndodhi të mërkurën rreth orës 17:20 me orën lokale, tha firma.

Personat që humbën jetën ndodheshin brenda automjetit teksa ai ra nga ndërtesa, shkruan BBC.

Nio thotë se filloi menjëherë një hetim mbi incidentin në bashkëpunim me zyrtarë qeveritarë.

Zona e katit të tretë nga ku ra makina është përshkruar si një sallë ekspozite, një objekt testimi ose një parking makinash.

“Kompania jonë ka bashkëpunuar me departamentin e sigurisë publike për nisjen e hetimeve dhe analizave të shkakut të aksidentit. Nga analiza e situatës në vendngjarje, fillimisht mund të konfirmojmë se ka qenë një aksident (jo i shkaktuar nga automjeti)“, thuhet në një deklaratë të kompanisë.

“Ndihemi shumë të pikëlluar për këtë aksident dhe dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona më të thella kolegëve dhe punonjësve tanë partnerë që humbën jetën. Është ngritur një ekip për të ndihmuar familjet”, shtoi ajo.

Deklarata fillestare e Nios në Weibo tërhoqi më shumë se një mijë komente brenda gjysmë ore, por më pas u hoq.

Fjalia e fundit e deklaratës “nuk ka lidhje me automjetin” shkaktoi shumë reagime të zemëruara nga përdoruesit e mediave sociale.

Një koment thoshte “tregon gjakun e ftohtë të kapitalizmit”, ndërsa një tjetër tha “Fjalia e fundit është kaq indiferente. Ata [shoferët e testimit] erdhën për të testuar automjetin, por ju thoni se aksidenti nuk ka lidhje me automjetin? ”

Prodhuesi i makinave që atëherë ka postuar një version të rishikuar të deklaratës, e cila ende i referohet përplasjes si një aksident.

Nio është në krye të përpjekjeve të rritura të Kinës për të dominuar industrinë e automjeteve elektrike. Ajo ka vënë bast të madh për bateritë e këmbyeshme në makinat e saj, si një mënyrë për të kapërcyer shqetësimet e klientëve për karikimin e shpeshtë.

Kompania është quajtur ndonjëherë “vrasësi i Teslës” i Kinës, në një referencë për rivalitetin e saj me prodhuesin e makinave elektrike me bazë në SHBA të multi-miliarderit Elon Musk, i cili ka një fabrikë të madhe prodhuese në Shangai./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!