Mbyllet pa fitues ndeshja mes Leipzig dhe Bayer Leverkusen. Djemtë e Nagelsmann nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 përballë një kundërshtari në formë fantastike. Vendasit humbën dy pikë dhe diferenca me Bayernin kryesues ka shkuar në tre pikë.
Të dy golat u shënuan në pjesën e parë. “Aspirinat” kaluan të parët në avantazh me anë të Leon Bailey. 22-vjeçari nga Xhamajka mori një asist nga Havertz dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh në minutën e 29-të.
Leipzig reagoi menjëherë dhe gjeti golin e barazimit pas tre minutash. Patrick Schick kërceu fort në krosimin e Nkunkut dhe në stadium nisi festa. Të dy skuadrat luftuan fort për pjesën e mbetur të ndeshjes, por nuk ia dolën të krijonin shumë raste.
Në fund 1-1, rezultat që u shkon më shumë përshtat miqve, të cilët renditen në vend të pestë, dy pikë poshtë M’Gladbach, ndërsa Leipzig vazhdon garën e fortë me Bayern dhe Dortmund për titullin kampion. /abcnews.al
Leipzig-Bayer Leverkusen 1-1
(Schick 32′ / Bailey 29′)