VIDEO/ Lazio nuk gabon në start, përmbysje e çmendur e Beneventos së Inzaghit

schedule19:58 - 26 Shtator, 2020

schedule 19:58 - 26 Shtator, 2020

Lazio e nis me tre pikë sezonin e ri në Serie A. Bardhekaltrit fituan 0-2 në Sardenjë përballë Cagliarit vendas falë golave të Manuel Lazzarit dhe të përhershmit Ciro Immobile. Avantazhi i miqve erdhi shumë shpejt.

Golat e CAGLIARI-LAZIO

Anësori i djathtë shfrytëzoi një asist të Marusic në minutën e katërt dhe dërgoi topin në rrjetë. Goli i sigurisë dhe qetësisë erdhi në minutën e 74-t. Sërish asist i Marusic dhe goditje e saktë e golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar në Seri A. Takimi nuk prodhoi më gola dhe Lazio e filloi me tre pikë të rëndësishme sezonin e ri.

Festë edhe te Benevento. Ekipi i Pippo Inzaghit kreu një përmbysje të çmendur jashtë fushe ndaj Sampdorias, duke fituar 2-3. Fabio Quagliarella dhe Omar Colley i dhuruan avantazhin e dyfishtë vendasve brenda 18 minutave të para.

U duk se Sampdoria nuk do haste vështirësi për të siguruar fitoren e parë, por Benevento nuk u dorëzua. Luca Caldirola shkurtoi diferencën në minutën e 33-të. Qendërmbrojtësi gjeti një tjetër gol në minutën e 72-të, duke shënuar me kokë pas një goditje këndi.

Benevento mori zemër dhe ia doli të gjente golin e fitores dy minuta përpara fundit të ndeshjes. Sërish mbrojtës autori i golit. Gaetano Letizia lëshoi një goditje potente me të majtën, topi në rrjetë, 2-3 për ekipin e rikthyer në elitë dhe start fantastik për djemtë e Pippo Inzaghit. /abcnews.al

SERIE A
Cagliari-Lazio 0-2
(Lazzari 4′, Immobile 74′)
Sampdoria-Benevento 2-3
(Quagliarella 8′, Colley 18′ / Caldirola 33′, 72′, Letizia 88′)