LeBron James kaloi legjendën Kobe Bryant edhe në një renditje tjetër të basketbollit amerikan, në atë të gjuajtjeve për 3 pikë. Ylli i Los Angeles Lakers ndihmoi gjithashtu skuadrën në fitoren ndaj San Antonio Spurs.
Bëri një premtim, ndërsa nderoi kujtimin e legjendës që nuk është më. LeBron James deklaroi së brendshmi, por edhe publikisht, se do të vazhdonte misionin e tij në emër edhe të Kobe Bryant, kjo vetëm dy ditë pasi ylli kishte humbur jetën në aksident dhe tri ditë pasi e kishte kaluar atë në renditjen e shënuesve më të mirë të NBA-së.
Në moshën 35-vjeçare, gjiganti i basketbollit nuk ka të ndalur, madje është në gjendje të krijojë momente si ai i pjesës së katërt të ndeshjes Lakers-San Antonio, kur në vetëm tri minuta shënoi 5 kosha trepikësh radhazi.
Shokët e skuadrës e rrethuan në formë festimi, ndërsa publiku në nisi të brohoriste instinktivisht, “Kobe, Kobe”. Kalifornianët fituan 129-102 dhe James e përfundoi duelin me 36 pikë, 7 topa në tabela e 9 asiste. Lakers kishin qenë në epërsi të madhe, por San Antonio ishte afruar në fund të pjesës së tretë.
I mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” mbërriti Bryant edhe në një renditje tjetër në NBA, në atë të koshave me vlerë trepikëshe. James ka 1831 gjuajtje të tilla të realizuara, një më shumë sesa Kobi.
Përveç shkëlqimit të LeBron, Laskers dominuan në tabela, duke kapur 58 topa aty, ndaj vetëm 28 të San Antonio që nuk e ka shtatlartësinë dhe fuqinë fizike të tyre. Anthony Davis pati 18 pikë e 5 topa në tabela, ndërsa Kuzma 18 pikë e 12 topa në tabela. Kalifornianët kryesojnë Konferencën Perëndimore me 38 fitore e 11 humbje. /abcnews.al