VIDEO | Kura Gattuso po jep efekt, Napoli shkon me moral të lartë ndaj Barcelonës

schedule22:39 / 21/02/2020

Napoli përmbysi Brescian në pjesën e dytë dhe shkon me moral të lartë në duelin e së martës kundër Barcelonës në Champions League. Ndeshja nisi keq për skuadrën e Gattusos dhe vendasit kaluan në avantazh në minutën e 26-të.

Krosi i Sandro Tonalit nga këndorja u shfrytëzua nga mbrojtësi Chancellor. Venezueliani kërceu fort, goditi me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke gjetur golin e tretë në Serie A. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e “Dallëndysheve”, teksa pushimi i bëri mirë miqve. Napoli fitoi një penallti me ndihmën e VAR-it dhe Lorenzo Insige nuk gaboi në minutën e 49-të.

Kapiteni u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe pas pesë minutash erdhi edhe goli i avantazhit. Fabian Ruiz dhuroi një tjetër perlë si ajo kundër Interit në Kupën e Italisë. Mesfushori spanjoll lëshoi një goditje fantastike dhe topi përfundoi në trekëndësh. Vendasit tentuan të gjenin golin e barazimit, Emanuele Ndoj u hodh në fushë në minutën e 85-të, por Napoli ruajti avantazhin dhe siguroi tre pikët e radhës. /abcnews.al

Brescia – Napoli 1-2
(Chancellor 26′ / Insigne (pen) 49′, Fabian Ruiz 54′)

schedule22:39 / 21/02/2020