Derbi i Romës vishet me ngjyrat e Lazios. E kaltra ka dominuar, në një ndeshje që u mbyll me rezultatin 3-0 dhe verdhekuqtë do të duhet të bëjnë një analizë të thellë, pasi dy golat e parë ia falën kundërshtarit.
Gabime nga mbrojtja, me Ibanez protagonist dhe Ciro Immobile e Luis Alberto që nuk falin. Dy gola të shënuar për nëntë minuta, çka i japin Lazios qetësinë e duhur dhe shansin për të pritur Romën dhe për të zbritur rrezikshëm.
Topin e mbajtën verdhekuqtë, kurse rastet i pati Lazio. Hapësirat që i la kundërshtarit ishin të pakta dhe në pjesën e dytë shënuan edhe golin e tretë, sërish përmes Luis Albert që shmangu portierin Pau Lopez. 3-0 dhe derbi ishte i Lazios, që tani ka vetëm tre pikë më pak se Roma. /abcnews.al