VIDEO/ “Kërkojmë një strehë të fusim kokën”, apeli i gruas me djalin e burrin invalidë

schedule17:11 - 14 Dhjetor, 2019

schedule 17:11 - 14 Dhjetor, 2019

Shembja e godinave pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës ka lënë në qiell të hapur një pjesë të familjeve që jetonin aty prej 25 vitesh. Ata i bëjnë apel shtetit që ti trajtojë me bonus qiraje ose të pakten t’u sigurojë një strehë ku të fusin kokën.

Situata paraqitet e vështirë për Dilën e cila ka mbetur e pastrehë së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj, të dy me probleme shëndetësore.

“Që kur u shemb godina unë jam jashtë. Me burrin invalid dhe djalin e sëmurë. Plaçkat i kam çuar tek të njohurit, por vetë s’kemi ku të shkojmë. Kërkojmë një strehë të fusim kokën”, apelon ajo përmes Abc News.

Por si Dila ka edhe shumë banorë të tjerë që deri para pak ditësh jetonin tek godinat pranë Universitetit Bujqësor. Një pjesë e tyre shprehën se prej 3 ditësh kanë mbetur në qiell të hapur, ndërsa një pjesë tjetër kanë marrë shtëpi me qira të cilën e paguajnë vetë deri sa t’u dalë bonusi i qirasë.

Në zonën pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës për shkak të amortizimit dhe dëmtimeve nga tërmeti ka nisur procesi i shembjes së 10 godinave, në 8 prej të cilave jetonin familjarë dhe 2 të tjera me studentë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!