Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë arrestuar dy persona që drejtonin një skaf me drogë në brigjet e Puljas. Autoritetet kanë sekuestruar skafin dhe 550 kilogramë marjuanë.
Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza e Pulias kanë finalizuar një tjetër operacion duke goditur tentativën për trafik narkotikësh drejt Italisë. Autoritetet arrestuan 2 trafikantët, një shtetas italian me iniciale W.F. dhe shtetasi shqiptar me iniciale V.B. Në Brindizi u kap dhe sekuestrua skafi me të cilin u tentua të trafikohej droga, si dhe 550 kg marijuanë. Hetimet po vijojnë në të dy krahët e kufirit për të zbuluar persona të tjerë të implikuar.
Sasia e drogës ishte e konfeksionuar në madhësi të ndryshme, dhe ishte e gatshme për shitje. Ndërkohë, mjeti lundrues ishte lokalizuar nga njësitë e patrullimit të agjencisë Frontex, ndërsa gjendej në ujërat ndërkombëtare dhe drejtohej drejt brigjeve italiane. Më pas kanë ndërhyrë agjentët e Guardia di Finanza dhe urdhëruan ndalimin e skafit. Por në kundërpërgjigje, drejtuesit janë përpjekur të rrisnin shpejtësinë për t’iu shmangur kapjes. Por pas një ndjekjeje të shkurtër, skafistët janë arrestuar.
Ndërkohë, që prej fillimit të 2018-s, bëjnë të ditur autoritetet italiane, vetëm në Pulja janë sekuestruar 14 mjete lundruese, mbi 14 ton marjuanë dhe janë arrestuar 35 skafistë./abcnews.al