Policia ka sekuestruar 300 kilogramë marijuanë në rrugën që lidh zonën e Tërnovec të Madh dhe fshatin Turija. Nga ky operacion janë arrestuar 5 persona, ndërsa mësohet se droga në Serbi kishte mbërritur nga Shqipëria.
Pjesëtarët e Shërbimit Kundër Drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, kanë prerë një tjetër zinxhir të kontrabandës së marijuanës nga Shqipëria në Serbi dhe kanë sekuestruar 300 kilogramë drogë në territorin e Tërnovcit të Madh, njofton ministria e Brendshme në Serbi.
Të arrestuari janë, E.N (1972), M.A (1987), F.L (1993), B.S (1982) dhe A.T (1953).
Të dyshuarit janë arrestuar në tentativë për të dorëzuar marijuanën të cilën e kanë transportuar me furgon në rrugën ndërmjet Tërnovcit të Madh dhe fshatit Turija dhe gjatë kontrollit në makinën që kanë përdorur janë gjetur 87 pako me marijuanë.
Ministri serb Aleksandar Vulin, ka uruar pjesëtarët e Shërbimit Kundër Drogës dhe ka theksuar se policia serbe me këtë veprim ka treguar se ligji zbatohet në çdo vend dhe çdo pjesë të Serbisë.
“Anëtarët e Shërbimit Kundër Drogës kapën një tjetër zinxhir të trafikut të drogës duke sekuestruar 300 kilogramë marijuanë në Tërnovec të Madh, duke arrestuar shpërndarësit e drogës. Një qytet apo fshat në Serbi ku ligji zbatohet. Policia serbe ka treguar se ligji është i vlefshëm në çdo pjesë të vendit tonë dhe se askush nuk do të mund të anashkalojë dhe shmangë ligjet tona”, tha Vulin. /abcnews.al/