VIDEO/ Hapet rruga Kardhiq-Delvinë, 45 minuta më pak nga Tirana drejt Sarandës

schedule12:49 - 2 Korrik, 2022

schedule 12:49 - 2 Korrik, 2022

Rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta, është gati.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot pamje të këtij aksi rrugor, teksa bëri të ditur se nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër.

“Udhëtimi nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër”, shprehet Kumbaro në rrjetet sociale.

Pjesë e kësaj rruge është edhe tuneli i Skërficës.

Me një gjatësi prej 33 km, përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë e shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka publikuar videon nga rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjiknuri nënvizon se një tjetër rrugë e lënë rrugëve nga qeveria e PD-së tashmë përfundoi me sukses. Ai thekson se ky është një tjetër premtim i mbajtur i kësaj mazhorance që i jep frymëmarrje turizmit.

“Kënaqësi e veçantë teksa shoh që një tjetër rrugë e lënë rrugëve nga qeveria e Partisë Demokratike tashmë përfundoi me sukses. Një premtim i bërë para qytetarëve të Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës; shumë punë e përpjekje për zhbllokimin e projektit, sigurimin e financimit dhe hapjen e kantiereve në vitin 2018. Më pas vëmendje e vazhdueshme, punime intensive e tashmë rruga Kardhiq-Delvinë është një realitet edhe për ata që nuk na besonin! Një arterie e re qe i jep frymemarrje turizmit të Sarandës, i jep përspektivë ekonomike Delvinës dhe afron detin me Gjirokastrën”, nënvizon Gjiknuri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!