Rraman Hallaçi pasoi Skënder Gegën në stolin e Kukësit dhe e nisi me një humbje kundër Teutës me rezultatin 0-3. Ish-kapiteni i verilindorëve, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tha: “E pafalshme të humbnim kështu sot. Është një situatë e vështirë për momentin. Duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të qetësohemi. E nisim me 3-4-1-2 dhe patëm probleme. Pësuam pastaj kur ishim me katër në mbrojtje. Është e papranueshme të marrim këto humbje”.
“Bytyçi në stol? Të gjithë mbrojtësit kanë luajtur. Nuk mund të themi se mungoi ai dhe humbëm. Lojtarët kanë bërë gabime. Menduam të sulmojmë me sistemin e ri, por u rrezikuam. Mendova pastaj të ndryshoj modulin dhe kaluam me katër prapa. Atëherë edhe pësuam”.
“Penalltitë? Duket qartë, por nuk jam këtu të justifikohem për penalltitë. Ai ashtu e ka parë, mund ta jepte penallti. Është 11-metërsh, sikurse mendoj se ishte edhe rasti i Eze. Nuk ka nevojë të diskutohen këto raste, i kam parë edhe më parë. Më vjen keq, pasi ishte ndërhyrje nga prapa dhe është e lehtë për arbitrin të vendosë. Ashtu e ka parë. Edhe me Partizanin ishte një penallti kur u mbaj Horic. E thashë edhe njëherë, nuk është justifikim për ne”.
“Kisha folur me portierin Tafas dhe i kam thënë që çoje larg topin kur je nën presion. U kam thënë të mos e mbajmë topin. Humbëm të gjithë bashkë, sikurse me Partizanin. Nuk e shpërndaj përgjegjësinë te lojtarët, pasi do ishte mungesë respekti nga ana ime. Duhet t;i pranojmë gjërat, por nuk ka përfunduar asgjë. Kukësi ka investuar shumë dhe do garojë deri në fund”. /abcnews.al