VIDEO/ Eksodi vijon, një talent vlonjat shkon në Itali

schedule21:17 - 25 Shtator, 2020

schedule 21:17 - 25 Shtator, 2020

Gjithnjë e më shumë të rinj të talentuar shqiptarë kërkojnë fatin jashtë vendit, duke tentuar të gjejnë ambientin e duhur për të treguar vlerat e tyre dhe për të bërë karrierë në futbollin profesionist.

Ditët e fundit një tjetër lojtar mjaft i ri në moshë, Xhek Saçaj, ka firmosur në Itali, më saktë në Serinë C italiane, me klubin legjendar Pro Vercelli.

Bëhet fjalë për një mbrojtës të djathtë, lindur në Vlorë, i cili sapo ka mbushur 16 vjeç, por që tani ka një fizik impresionues, mbi 1.80 i gjatë, dhe shumë i fortë fizikisht.

Italianët, 8 herë kampionë të vendit, nuk janë në kulmin e lavdisë së vet, ndaj nuk kanë fuqi financiare për të bërë blerje të rëndësishme dhe detyrohen të punojnë shumë për zbulimin e talenteve.

Prej kohësh Saçaj ishte nën vëzhgim, nga Pro Vercelli dhe Alessandria, por kanë fituar të parët, që kanë gjetur marrëveshjen me DM Management, kompania e prokuratorit Daniele Mura, mjaft aktiv në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri.

Saçaj do të bëhet pjesë e ekipeve U17 dhe U19 të Pro Vercellit, me synimin për të vijuar procesin e rritjes, para se të bashkohet me ekipin e parë, nëse gjithçka do të ecë sipas parashikimeve, sepse bëhet fjalë për një lojtar premtues, që ka qenë pjesë e moshave të Flamurtarit, si dhe përfaqësueseve rajonale U15. / abcnews.al