VIDEO/ Edi Rama, mes tërmetit dhe mini-shengenit: Politika në Abc News

schedule16:56 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 16:56 - 28 Dhjetor, 2019

Mimoza Koçiu-Politika në ABC News

Iniciativa e Shengenit Ballkanik po rezulton një prioritet për kryeministrin Rama në mbyllje të një viti politik, që pati si pati si shenjë krizën politike e institucionale.

Gjuha fyese ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës dhe ngërci politik në Tiranë me kreun e opozitës e presidentin, duket panorama aspak optimiste, që e pret vendin në vitin 2020.

“Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri. Gënjen nga padia apo gënjen qëllimisht, unë këtë nuk kam arritur ta zbuloj dhe nuk kam ndërmend të merrem me këtë zbulim, por është gënjeshtar”, tha kryeministri Rama pak ditë më parë.

Për herë të parë një kryeministër i Shqipërisë nuk kursehet publikisht ndaj homologut të Kosovës, me shkak iniciativën rajonale, që njihet si mini-shengeni ballkanik, për të cilën e ka gjetur gjuhën me Serbinë.

Investimi personal i kryeminstrit për këtë iniciativë, duket një luks politik, në kushtet kur me kërkesë të tij, zgjati edhe me 3 muaj të tjerë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima.

 

https://www.youtube.com/watch?v=oQywnAtFL7E

Një muaj pas tërmetit nuk ka një faturë të dëmeve, apo parashikim të shifrës, që pritet të vijë si ndihmë nga brenda apo jashtë vendit. Viti politik i Edi Ramës u mbyll sic filloi, me opozitën jashtë institucioneve, e pa dialog me të, si dhe një konflikt me Presidentin, i pasuar me një iniciativë parlamentare për ta shkarkuar.

Përse vallë ky investim i dedikuar i kryeministrit në mbyllje të 2019-ës?

Me komoditetin e numrave në Parlament, Edi Rama KM e shtyu edhe me tre muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, për shkak të tërmetit me magnitudë 6.4 me epiqendër Durrësin, e që prodhoi bilancin tragjik me 51 viktima.

Nuk pati të njëjtin vullnet për të shtyrë samitin e minishengenit, që i takonte të mikpriste në Tiranë.

I nisur si një treshe Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut në Novi Sad më 10 Tetor 2019, grupit iu shtua në takimin e Ohrit (9 nentor), Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, që tha se vendit të tij nuk i interesonte ajo iniciativë dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, që njëlloj shprehu rezerva në emër të qeverisë së vendit të saj.

Mundësia e dështimit, duket se dominoi mbi situatën ku ndodhej Shqipëria dhe Edi Rama e mikpriti në Tiranë takimin e rradhës, që pati vetëm efektin vizual të shfaqjes së KM të Malit të Zi.

Sërish mungoi Kosova e këtë herë edhe BH, por për Kosovën ishin tiradat e KM të Shqipërisë, më ashpër se në dy samitet e mëparshme.

“Për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe përveçse që është i pakuptueshëm, mendoj që është i dëmshëm për vetë Kosovën. Ne jemi këtu për të ndërtuar urën midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis një të shkuare që na ndan dhe një të ardhmeje që na bashkon.

Do të ishte vërtetë për t’u konsideruar e papranueshme nëse mungesa këtu e Kosovës do të ishte rezultat i ndonjë kushti vendosur nga Serbia. Nuk ka asnjë kusht. E nuk ka asnjë lloj klauzole përjashtuese për asnjë nga marrëveshjet që ne biem dakord.

Pra, nëse ne biem dakord me Serbinë, biem dakord me Malin e Zi, biem dakord me Maqedoninë e Veriut për të bërë liberalizim në çdo aspekt, atëherë ma thoni çfarë fiton Kosova duke mos ardhur? Ne po ndërtojmë një urë mes të shkuarës dhe të ardhmes. E shkuara na ndan, e ardhmja na bashkon, e në të tashmen ne duhet të kemi kurajën t’ia themi sy në sy njeri-tjetrit atë që mendojmë për të shkuarën, por duhet të kemi po ashtu kurajën që sy më sy të bashkëpunojmë për të ardhmen”, u shpreh Rama.

Ky takim nuk pati nënshkrime marrëveshjesh. PlanetVucic-Rama-Zaev, që takimin e rradhës ta mikpriste Serbia, ishin bërë pa Gjukanovicin, që dukej një ardhje shpëtimtare në momentet e fundit.

“Dëshiroj të them gjithashtu se Kryeministri Rama gjatë pjesës së punës së takimeve që patëm sot, përmendi mundësinë që Mali i ZI mund të organizojë takimin tjetër të kësaj iniciative dhe unë dua të konfirmoj se jemi absolutisht të gatshëm të jemi mikpritësit e një iniciative të tillë…”, u shpreh Milo Gjukanoviç, presidenti i Malit të Zi.

“Për mua është njësoj, në Beograd apo Podgoricë, si të biem darkod, por besoj që ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin sepse kjo nënkupton që ne do të vijojmë të ndërtojmë, do të kemi gjithashtu dhe funksion 24 orë në 7 ditë të javës të pikave kufitare të doganës, gjithashtu do të lehtësojmë procedurat…Gjithashtu, do të nënshkruajmë këtë marrëveshje qoftë në mënyrë dypalëshe me Shqipërinë”, u shpreh ndërkohë Aleksandër Vuçiç.

Ndërkohë Zaev tha: Takimi tjetër siç thashë planifikohet të zhvillohet në Beograd. Zoti Vučić  do të përcaktojë datën e saktë  dhe unë pres dhe jam dakord siç tha dhe Presidenti Đukanović, që takimi tjetër të zhvillohet në Podgoricë. Ne do të jemi të gëzuar që ta vazhdojmë pastaj në Sarajevë, Prishtinë, dhe në maj kur të përfundojmë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut  do të kemi mundësi t’ju mirëpresim.

Edhe për shkak të Kosovës, vëmendja mbeti tek Rama e Vuçiç.

“Kush mund të thotë se lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e mallrave, heqja e kaq shumë barrierave dhe procedurave, lehtësimi maksimal i dokumentacionit mund të mos sjellë zhvillim për ekonominë, për biznesin, për mirëqenien e vendit të vet? Këtë mund ta thonë vetëm ata që nuk duan të shikojnë realitetin dhe që jetojnë jashtë realitetit”, vijoi Rama duke u pasuar nga Vuçici: U zemërova pak më parë me mikun tonë Edi, sepse gjithë kohën duket sikur mbrohet. Përse duhet të mbrohemi? Nga çfarë duhet të mbrohemi? Që po përpiqemi të bëjmë gjërat më të mira për vendet tona?

Cfarë iniciuesit e kësaj iniciative rajonale, nuk thonë është se të katër vendet pjesëmarrëse në takimin e Tiranës, si dhe dy të ftuarit Kosova e Bosnjë Hercegovina janë pjesë e CEFTAs, marrëveshja e tregtisë së lirë e Europës Qendrore, bashkë me Moldavinë.

Prej 2006 ajo marrëveshje ka ndihmuar të paktën tre vende, Bullgarinë, Rumaninë e Kroacinë në procesin e antarësimit në BE. Shqipëria sapo mbylli presidencën 1 vjecare të CEFTA-s, të cilën Rama nuk e përmend dhe stafetën do e marrë BH. Para Shqipërisë, Presidencën e kishte Kosova e para saj Serbia.

I paqartë insistimi për të krijuar një iniciativë të re ekonomike, kur ekzistuesja prej 13 vitesh ka bilanc suksesi, të paktën 3 vende të antarësuara në BE, dhe ata që kanë mbetur, përvec Moldavisë, janë të njëjtat vende, që pretendohet të grupohen në një Minishengen.

Në mbyllje të presidencës së Shqipërisë të CEFTAs, Komisioni Europian nënshkroi 10 milionë euro grante të BE për nxitjen e mëtejshme të integrimit ekonomik rajonal mes këtyre vendeve në kuadër pikërisht të kësaj iniciative. Ndërsa Minishengeni me të njëjtat vende ende po përpiqet të gjejë dakordësi në rajon.

“Më thoni një gjë të vetme në të gjithë këtë përpjekje me të cilën Kosova nuk ka qenë dakord? Një. Me të gjitha ka qenë dakord. Procesi i Berlinit, Kosova ka qenë në tryezë. Ka qenë dakord me të gjitha. CEFTA, Kosova në tryezë. Dakord me të gjitha… I kemi të gjitha forcat për ta kthyer në realitetin e njerëzve në realitetin e përgjithshëm të qytetarëve, në realitetin e përgjithshëm të sipërmarrjeve, atë që ka qenë në mënyrë të përsëritur e dakordësuar në Procesin e Berlinit, në kuadër të CEFTA-s, apo edhe të nismave e të tryezave të tjera”, u shoreh Rama.

Si Rama, ashtu edhe Vucic e Zaev, e dinë mirë se prania ndërkombëtare në takimet e tyre, nuk është garanci për mbështetje të paktën financiare, nëse vendet e rajonit nuk bëhen së bashku, si në rastin e CEFTAs apo edhe të procesit të Berlinit.

Nervozizmi është më i lexueshëm tek kryeministri i Shqipërisë, që ka theksuar qëndrimet absolutiste, pas tërmetit të 29 Nëntorit, e nga ai Samit foli në emër të vendeve të BE e SHBA, si në shifra, ashtu edhe në qëndrime politike.

“Më vjen mirë ta theksoj që Komisioni bëhet gati për të dedikuar qysh në vitin e ardhshëm 1.2 miliard euro për vendet tona të këtij rajoni, në funksion të zbatimit të marrëveshjeve… Nuk jam 99%, jam 100% me të drejtën sepse po të mos isha me të drejtën, të paktën një vend, një nga vendet mike, do të thotë “jo nuk është ide e mirë”. Ndërkohë që SHBA-të e mbështesin këtë 100% dhe janë të trishtuara për faktin që Kosova refuzon të marrë pjesë. Bashkimi Europian, Gjermania, Franca, që të gjithë”, theksoi ai.

Edhe në afatet e përfitimeve të anëtarëve të këtij MiniShengeni, sërish konstatimet e KM shkojnë drejt absolutizmit, krejt ndryshe nga presidenti serb.

“Unë jam i bindur që në fund të vitit 2020, shifrat e ekonomive tona, të vendeve që janë këtu në këtë tryezë dhe uroj shumë edhe të Kosovës, edhe të Bosnjës që mungojnë këtu për arsye të mosarsyes politike, do flasin vetë”, vijoi më tej kryeministri.

Ndërkhë, Vuçiç u shpreh: “Kjo gjë nuk do të finalizohet në tre muaj. Njerëzit nuk do t’i shikojnë përfitimet në tre muaj, por kujtoni këtë që po them. Shikoni rritjen e këtyre tre vendeve, apo 4 apo 5 apo sado vendeve, mbas 3 viteve”.

Ndryshe nga Edi Rama i investuar në kritika ndaj Kosovës, Aleksandër Vucic duket i i fokusuar tek takimi i rradhës që e mikpret vetë në Serbi, e që e quan hstorik, teksa informon gazetarët që e shoqërojnë në Tiranë.

“Mendoj se ky do te jete nje takim historik ne çdo kuptim per ato qe do përfundojmë deri atehere. Kemi arritur marreveshje konkrete per shume gjera. Para vitit te ri ne do kemi nje vendim qe njerezit tane te hyjne ne Shqiperi vetem me karte identiteti dhe njerezit nga Shqiperia mund te hyjne ne Serbi vetem me karte identiteti, nenkuptohet edhe hyrja në Maqedoninë e Veriut dhe nga Maqedonia e Veriut ne Serbi”, tha ai.

Arsyet e dakordësimit me këtë nismë, duken të ndryshme, mes Vucic e Ramës. Presidenti serb e ka të lidhur me BE.

“Ne jemi në rrugën tonë europiane. Kanë kaluar 6 vite që kur kemi hapur bisedimet e pranimit. I falënderoj të gjithë për atë që kanë bërë, por ne varemi e duhet të varemi pikë së pari, t’i lutemi Zotit e pastaj duhet t’i lutemi atyre që të na hapin 2-3 kapituj? Jo nuk dua të poshtëroj, as veten time, as popullin tim.

Unë i them popullit, ne po e bëjmë punën tonë dhe ju si popull na thoni nëse po e bëjmë mirë apo jo punën tonë, vlerësojeni si të doni ju, por kjo nuk varet më nga ne, varet nga populli e nga rrethanat e tyre të brendshme e unë këtë e them hapur, nuk e fsheh nga askush. Mënyra se si ne organizojmë rajonin tonë, varet nga ne dhe jo nga fuqitë e mëdha, nga askush tjetër.
Ndërsa Km i Shqipërisë duket se po kërkon një rol gjeopolitik, që aktorë më të fuqishëm e kanë në dorë”, tha Vuçiç.

Rama ndërkohë tha se ai ia ka arritur të ulë në tavolinë Kosovën dhe Serbinë pa kushte.

“Unë e kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur dot as me thirrje, as me deklarata, që Serbia të vijë në tavolinë pa kushte për Kosovën, pra që Serbia të pranojë atë që deri dje dukej e paimagjinueshme, që Kosova dhe Shqipëria të hapin kufirin dhe që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ketë lëvizje të lirë…për ta kuptuar këtë, Unë jam në këtë detyrë pikërisht sepse shoh më larg sesa ju, se po të mos shihja më larg sesa ju, do isha duke i bërë pyetje atij që sheh më larg.

Të udhëheqësh nuk do të thotë t’u shkosh pas atyre që të ndjekin, por do të thotë t’i drejtosh.

A po përpiqet Km të bëjë një rol që nuk ia ka kërkuar njeri, pa një interlokutor të paktën publik në Prishtinë, teksa Serbia dukshëm sheh përtej Kosovës?”, u shpreh kryeministri.

“Kam përshtypjen që një propozim që do të shohim dhe në takimet e tjera do të jetë dhe përafrimi i shumë rregulloreve në mënyrë që të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur një treg unik të 11 apo 12 milionë qytetarëve që është më i madh, që është më i mirë për të gjithë, për ne dhe për më gjerë, për BE. Kjo është diçka, shumë e rëndësishme për ne që jemi vende të vogla me pak banorë”, tha Rama.

Kjo qasje e Vuçiç lexohet si ambicje e Serbisë, për të rikthyer një realitet të kaluar.

E evidentoi Lulzim Basha, që e konsideron të pasinqertë deklarimin properëndimor të Serbisë.

“Po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negocitave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian.

Në tetor të këtij viti, Serbia nënshkroi në Moskë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroazian të dominuar nga Rusia pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se kjo marrëveshje nuk përputhet me kriteret e integrimit europian. BE vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2014 mirëpo Serbia, megjithëse vend kandidat, refuzoi ti vendoste.

Pavarësisht retorikës pro-perëndimore, gjatë viteve të fundit Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë duke ndërmarrë manovra të përbashkëta dhe bërë blerje masive armatimi.

Të gjitha këto veprime të Serbisë hedhin hije dyshimi mbi orientimin gjeopolitik të një blloku të ri shtetesh ballkanike ku shteti më i fuqishëm që shërben si lokomotivë e kësaj nisme, flirton haptazi me Rusinë dhe nuk e ka të sinqertë orientimin drejt perëndimit”, u shpreh kryedemokrati.

Padyshim që këto lloj konkludimesh, nuk i lehtëson aspak gjuha e papërmbajtur e kryeministri Rama, si përgjigje ndaj homologut Ramush Haradinaj, që ishte shprehur se përpjekjet për minishengen e reciprocitet po bëhen për të hequr taksën nga produkteve serbe

“Krejt kjo bëhet në një farë mënyre me na hek taksën. Pra është një bypass për me heq taksën. Krejt Minishengeni një qëllim e ka, një sukses vetëm nëse kishte mujt me heq taksën. Prandaj edhe nervozizmat që i kanë ditët e fundit, vijnë pikërisht se po i bindin këto zhvillime”, tha Haradinaj.

“Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri. Gënjen nga padia apo gënjen qëllimisht, unë këtë nuk kam arritur ta zbuloj dhe nuk kam ndërmend të merrem me këtë zbulim, por është gënjeshtar sepse e vërteta është që këtu nuk ka asnjë kusht e asnjë detyrim, pra, e përsëris, kjo nismë ka thjeshtë dhe vetëm një qëllim. Të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve”, iu përgjigj Rama atij.

Edi Rama nuk arriti të artikulohej para gazetarëve, i pyetur për deklaratën mohuese të presidentit Vucic, për masakrën e Recakut, e kundërshtuar nga Haradinaj.

Nuk është dakord me deklaratën e Presidentit serb që e quan masakrën e Reçakut si një trillim, apo jo zoti Kryeministër?
Kryeministri Edi Rama: Me atë nuk jam dakord as unë.

-Po ju jeni përkrah tij…?

Kryeministri Edi Rama: Me atë nuk jam dakord as unë. Atë e kam dënuar publikisht, por unë nuk di në historinë e njerëzimit ndonjë rast kur konfliktet pas luftës janë zgjidhur pa u ulur përballë, ose në krah dhe pa vazhduar me këmbëngulje përpjekjet për dialog.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha, ajo deklaratë, duhej të përbënte shkak për anullimin e takimit të minishengenit në Shqipëri.

“I ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia.

Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti”, u shpreh Basha.

Si kurrë më parë, Shqipëria e Kosova nuk kanë njohur një përplasje kaq të fortë politike mes dy kryeministrash, sa në pjesën e dytë të 2019-ës.

Imazhet e mbledhjes së parë mes dy qeverive të kryesuara nga Rama e Haradinaj, në janar 2014 Prizren, duken tejet të largëta. Njëlloj edhe 4 takimet pasuese me rotacion, në Shqipëri e Kosovë. (23 mars 2015 Tiranë-Mustafa, 3 qershor 2016 Prishtinë-Mustafa, 27 nëntor 2017 Korcë-Haradinaj, 26 nëntor 2018 në Pejë-Haradinaj) Në ato mbledhje, përvec marrëveshjeve që mbetën kryesisht në letër, u pa gradualisht mungesa e kimisë së Edi Ramës me pasardhësit e Hashim Thacit, Isa Mustafën e LDK apo Ramush Haradinajn e AAK.

Tensioni me Haradinajn arriti pikën sa të mos pranonin uljen në të njëjtën tryezë. Për pasojë, mbledhja e 6 mes dy qeverive, e mbajtur në Tiranë në 20 Maj 2019, u drejtua nga zëvendësit e tyre.

Të dy janë përplasur publikisht për tarifën e rrugës së Kombit, kur Haradinajt nuk i konsiderohej kërkesa për heqjen e saj për shtetasit e Kosovës.

Por ishte vendosja e taksës ndaj produkteve serbe, që për një moment pati mbështetjen e Ramës, e më pas u kthye në përplasjen e re me Ramush Haradinajn, deri në Samitin e Berlinit, të ftuar nga Merkel e Makron, së bashku me Vucic. Pikërisht ato dy qëndrime për tarifën në rrugën e Kombit dhe taksën serbe, i kujtoi Haradinaj-Ramës, në përgjigje të epiteteve publike për Minishengenin.

“Me dhimben shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë. Kur Kosova iu hoq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi”, tha Haradinaj.

Por Rama po i mban sytë tek një tjetër politikan i majtë në Kosovë, Albi Kurti, kur të arrijë të formojë qeverinë e të marrë mandatin si KM. Lideri i VV nuk e ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Minishengenit Ballkanik, por ka thënë se kryeministri shqiptar do të duhej të priste krijimin e qeverisë së re të Kosovës, për të ecur përpara me këtë projekt.

“Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju”, u shpreh kryeministri.

Duket e vështirë të gjesh në Prishtinë, mes qytetarësh rastësorë, ndonjë mbështetës të minishengenit.

Nga ana e tij presidenti Vuçiç, dukshëm po përpiqet të krijojë një profil të ri të Serbisë në raport me Shqipërinë. Pas vizitave në Durrës, në zonat e prekura nga tërmeti, Vucic bëri premtimin për ndihmë të konsiderueshme.

“Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një ndihmë domethënëse parash, dhe besoj që do të jemi një nga dy apo 4 donatorët më të mëdhej një të ndihmuar njerëzit në Durrës e Thumanë e zona të tjera në Shqipëri”, tha Vuçiç.

Një javë pas atij premtimi, ende nuk ka dicka konkrete. Në shenjimin e një mujorit të tërmetit më 26 dhjetor, heshtja e qeverisë Rama ishte elokuente.

ABC News konstatoi se situata në Durrës, Thumanë e Laç, zonat më të prekura, nuk kishte ndryshim. Në kushtet e mungesës së një fature të dëmeve nga tërmeti, ka ende banorë në cadra e në nevojë, ndërsa ata të strehuar nëpër hotele, do duhet të largohen prej aty.

“Sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota ne do ta përballojmë të gjithën sepse është detyra jonë ta përballojmë dhe jemi më të zgjuar, më të zotë dhe më ta aftë se ju dhe ata që ju kanë hapur vendin këtu”, deklaroi Rama në 14 dhjetor në Parlament.

Por kalimi nga fjalët tek veprat nuk është i lehtë, as për KM. 9 ditë më vonë, përmes një videomesazhi, Edi Rama bënte të ditur se po priste konferencën e donatorëve

“Brenda vitit te ri 2020 do jenë rindërtuar shtëpitë e shkatërruara në fshat. Brenda qershorit 2021 ata që kanë humbur shtëpinë në qytete. Konferenca e donatorëve do mbahet në Tiranë në fund të janarit apo fillim të shkurtit. Juve ju lutem që të keni besim dhe mundësisht sa më shumë durim. Ne së bashku do bëjmë histori”, vijoi kreu i qeverisë.

12 ditë më vonë, në shenjimin e 1 mujorit të tërmetit të 26 Nëntorit me epiqendër Durrësin, Km duket i heshtur. Në ERTV në e tij u shfaq në një shtëpi të ndërtuar në Petrelë të Tiranës.

Dy video të tjerë të ditës janë nga puna e drejtorive sociale që ndihmojnë me ushqim dhe kujdesi shëndetësor për familjet e strehuar në një hotel në Shëngjin.

Lulzim Basha e akuzoi për papërgjegjshmëri

“Zgjidhja e krizës politike dhe ndërtimi i një qeverie të përgjegjshme jane prioritet per vendin.
Por vetë Edi Rama po sheh përtej situatës së tërmetit. Po përgatitet për mandatin e tretë qeverisës”, u shpreh kryedemokrati.

Në përgjithësi, unë besoj se, ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur, na ka dhënë një energji të re, na ka dhënë një ripërtëritje të domosdoshme në një fazë të ndërmjetme, pasi, edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë nesër praktikisht, sepse qershori i vitit 2021 është shumë afër politikisht”, u shpreh ndërkohë kryeministri.

Opozita jashtë institucioneve e mungesa prej një viti e dialogut politik, nuk duket se e shqetëson.

“Unë mendoj që vendi nuk ka vakum për arsye sepse Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara. …Sigurisht që do ishte mirë PD të ishte në parlament. Ka marrë vendimin e vet të ikë. Është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vetë PD.

Padyshim që nuk e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit, por nuk është se e ka cënuar në pikën e mosfunksionimit kështu që gjërat funksionojnë, mund të funksiononin më mirë padiskutim në këtë aspekt, por gjithmonë nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të reflektojmë kur shohim që ka ide dhe sugjerime pozitive, por ne jemi të votuar e të dënuar të udhëheqim, nuk jemi këtu për të ndjekur të tjerët, as për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi apo të përfundojë atë shtriqjen përpara se sa të vijë në punë”, vijoi kryeministri Rama.

Në ditët e fundit të vitit Lulzim Basha po planifikon t’i rikthehet aksionit opozitar në Janar. Grupi i tij i ekspertëve zgjedhorë po përfundon amendamentet për reformën zgjedhore, që do publikohen në muajin e parë të 2020-ës.

Me përmbylljen e reformës zgjedhore, opozita duket gati për zgjedhje, edhe pse nuk ka komunikim me kryeministrin.

“Pas festave ne do te prezantojne para qytetareve propozimet tona per reformen zgjedhore, dhe kerkojme qe brenda muajit janar te miratohet reforma dhe ti hapet rruge zgjedhjeve vendore dhe te pergjithshme sa me shpejt, pasi kjo qeveria po e thellon krizen ekonomike, politike dhe shoqerore.

Ne fillim te janarit do te jene gati. Do te behet prezantim publik dhe njehere do ti behen te ditura te gjitha strukturave te PD dhe qytetareve. Pas prezantimit, keto propozime do ti nenshtrohen nje konsultimi te gjere per te marre mendimin e anetarsise dhe qytetareve edhe persa i perket aspekteve te tjera te reformes sic eshte sistemi zgjedhor”, tha kryedemokrati.

Mbetet domethënës impenjimi i posacëm i kryeministrit Rama për një iniciativë rajonale, duke patur një situatë të vështirë në vend, si pasojë e tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Mbresëlënëse se si ka arritur të gjejë gjuhën me Serbinë, por jo me Kosovën, e as opozitën në Tiranë të paktën prej një viti.

Natyrisht që mbetet për t’u parë se cfarë produkti do sjellë ky prioritizim i ri i KM, në raport me vendin e 2020-a, mund të jetë sërish viti i basteve të mëdha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!