VIDEO/ E infektuara me Covid-19 thyen karantinën në Berat, policia gjobë për 37-vjeçaren

schedule09:00 - 31 Korrik, 2020

schedule 09:00 - 31 Korrik, 2020

Policia e Beratit ka njoftuar se ka gjobitur një 37-vjeçare e cila ishte e infektuar me Covid-19 dhe kishte thyer karantinën duke dalë nga banesa.

Sipas policisë nga kontrolli i ushtruar në banesën e 37-vjeçares, autoritetet nuk e kanë gjetur të infektuarën në banesë, e cila është burim infeksioni për persona të tjerë.

Si pasojë e shkeljes së rregullave të karantinës, e infektuara është gjobitur me 700 mijë lek.

Sakaq policia ka bërë apel për të gjithë personat që kanë rezultuar pozitiv për koronavirus, të respektojnë rregullat e karantinës pasi disponon listat emërore të të gjithë personave të infektuar.

Njoftimi i Policisë:

Policia ka ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë një shtetase pozitive me COVID-19, pasi shkeli rregullat e vetëkarantinimit.

Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, si dhe në subjekte të ndryshme, për respektimin e protokolleve të sigurisë.

Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur nga COVID-19. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se shtetasja E. Z., 37 vjeçe, e cila është infektuar nga COVID-19, kishte shkelur rregullat e vetëkarantinimit dhe kishte dalë jashtë banesës, duke u bërë burim infektimi për personat e tjerë.

Në zbatim të Aktit Normativ, për këtë shtetase, Policia e Beratit ka vendosur masë administrative 700.000 lekë.

Policia u bën thirrje të gjithë personave të prekur nga COVID-19, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e vetëkarantinimit, të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!