VIDEO/ E dyta medalje ari radhazi, Brazili thyen Spanjën në 120 minuta

schedule16:04 - 7 Gusht, 2021

schedule 16:04 - 7 Gusht, 2021

Brazili triumfoi 2-1 në finalen e madhe ndaj Spanjës në Lojërat Olimpike të Tokios. Kombëtarja olimpike braziliane, fitoi medaljen e artë pas një ndeshje që zgjati plot 120 minuta.

90 minutat e rregullta u mbyllën në barazim 1-1. Richarlison pati një shans të artë për të kaluar kombëtaren seleçao në avantazh në minutën e 38-të.

Sulmuesi i Evertonit dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke e dërguar topin mbi traversë. Brazili nuk u dekurajua dhe kaloi në avantazh në minutat shtesë të pjesës së parë.

Asist i Dani Alves dhe finalizim i Matheus Cunha. Sulmuesi i Hertha Berlin veproi bukur mes dy mbrojtësve spanjollë dhe dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje potente.

Pushimi i bëri mirë kombëtares iberike, që gjeti golin e barazimit në minutën e 61-të. Mikel Oyarzabal shënoi një gol të bukur pas një krosi të marrë nga Carlos Soler.

Ndeshja shkoi në shtesa, aty ku Brazili gjeti golin e fitores në minutën e 108-të. Sulmuesi i Zenit, Malcom u tregua shumë më i shpejtë se Jesus Vallejo dhe realizoi golin vendimtar.

Festë te kombëtarja latine, që siguron medaljen e dytë të artë radhazi pas suksesit të paharrueshëm në Rio 2016 pesë vite më parë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!