VIDEO/ Dy autogola dhe Messi “show”, Barcelona “manita” ndaj Getafes

schedule23:54 - 22 Prill, 2021

schedule 23:54 - 22 Prill, 2021

Nuk e pati të lehtë sa duket nga rezultati, por Barcelona arriti të marrë tre pikë ndaj Getafes dhe të vazhdojë ndjekjen e Atleticos së vendit të parë. Katalanasit fituan me shifrat 5-2. Ndeshjen e hapi kapiteni Messi, që mori shumë bukur një vertikalizim gjenial të Busquets dhe e dërgoi drejt e në rrjetë në minutën e 8. Gjithsesi avantazhi do zgjastë vetëm 4 minuta.

Clement Lenglet shënoi një autogol fatkeq në minutën e 12 dhe i dha barazimin Getafes. Barça do të kthehej në avantazh sërish me një autogol, këtë herë nga ana tjetër. Soufiane Chakla nuk u mor vesh me portierin dhe shënoi një autogol fëminor në minutën e 28. Pas 5 minutash Leo Messi mori sërish skenën dhe çoi shifrat në 3-1.

Në pjesën e dytë Barça lëshoi terren dhe Getafe përfitoi, duke fituar një penallti dhe e shënuar në minutën e 69 me Enes Unal. Në minutat e mbetura Barça u mundua të administrojë avantazhin dhe ia doli mirë. U mbrojtën nga sulmet e Getafes dhe në fund arritën të gjejnë edhe golin e 4-2. Leo Messi dha një krosim nga këndi në shtyllën e parë dhe talenti Araujo e shfrytëzoi në maksimum, duke tundur rrjetën.

Në fund kishte kohë edhe për një gol të Antoine Griezmann, i cili fitoi një penallti vetë dhe e gjuajti po vetë, duke e shndërruar në gol dhe fiksuar shifrat 5-2.Pas këtij triumfi Barcelona numëron 68 pikë, dy më pak se Real Madrid dhe pesë më pak se Atletico Madrid, por me një ndeshje më shumë për të luajtur se dy skuadrat kryeqytetase. /abcnews.al