Tërbuni-Egnatia u mbyll me tension një ditë më parë, ndërkohë që ka pasur edhe lojtarë të goditur. Abcnews.al një ditë më parë e raportoi diçka të tillë, teksa solli edhe video nga momenti kur futbollistët ishin ngujuar në dhomat e zhveshjes në pritje të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Disa prej lojtarëve rrogozhinas ishin goditur, ndërkohë që klubi i Egnatias në orët e vona të ditës së djeshme ka dalë edhe me një qëndrim zyrtar ku dënon dhunën dhe kërkon të merren masa nga FSHF.
REAGIMI – “KF Egnatia, me anë të këtij reagimi kërkon që të denoncojë terrorin fizik të ndodhur karshi ekipit tonë në Pukë. Kemi respektuar garën nga fillimi i kampionatit e deri me sot dhe do vazhdojmë ta bëjmë diçka të tille sepse ne si klub këtë mision kemi, futbollin e bukur dhe të ndershëm, brenda dhe jashtë fushës sonë!
Jemi dhunuar përgjatë 90-të minutave. Çdo gjë i kaloi “kufijtë” kur loja mbaroi, duke u sulmuar nga çdo anë, e madje edhe nga ata që paguhen për të ruajtur sigurinë e për të marrë përsipër mbarëvajtjen e aktivitetit, “stjuartët” që godasin lojtarët tanë apo dhe persona të pa autorizuar që futen në fushë! Jemi habitur se si Policia e Shtetit dhe kryetari i Bashkisë Pukë nuk kanë tentuar të ndalojnë këtë skenar të turpshëm të ndodhur!
Kanë kaluar disa orë, por jemi ende si klub të shokuar nga kjo që ndodhi dhe që është një plagë e vjetër në futbollin shqiptar. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit të marrë masa ekstreme dhe të dënojë këto akte të turpshme, që edhe pse jemi në Shekullin e 21-të, në disa fushë janë të pranishme e ku sot ishim ne viktimë e dhunës. Këto ngjarje të shëmtuara nuk e ndihmojnë aspak futbollin shqiptar të ecë përpara dhe të bëjë progres!
FK Egnatia siguron çdo tifoz e dashamirës se ekipi do të vazhdojë respektimin e garës, ashtu siç ka bërë këtë sezon duke mos u bërë pjesë e asnjë aleance. Sot (dje) skuadra ishte e pa mbrojtur dhe nga organizatorët e garës shpresojmë në drejtësi duke i dhënë një grusht të fortë kësaj dhunë që kërkon të prishe lojën e bukur të futbollit”, shkruhet në komunikatën e Egnatias. /abcnews.al