Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse në banesën e një gjyqtari në Shkodër.
Sipas informacioneve autori i cili ka vendosur tritolin në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, ka qenë i maskuar dhe pasi ka vendosur lëndën plasëse është larguar në këmbë.
Dyshohet se sulmi të jetë kryer për shkak të detyrës. Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit Tonin Sterkaj, 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, thuhet në reagimin e policisë lidhur me këtë ngjarje.
/abcnews.al/