Klement Çupi është një ndër historitë më dramatike të tragjedisë që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Qendroi me kurajo për 16 orë me gjysmën e trupit nën beton, komunikoi përgjatë gjithë ditës me të fejuarën e tij dhe të afërm të tjerë… këmbeu batuta me zjarrëfikësit kosovarë e grekë… kërkoi ujë, cigare, batanije për t’u mbuluar, por më shumë se çdo gjë tjetër kërkoi shpresë për jetë.
ABC News ka mbledhur dëshmi nga të gjithë ata që i qëndruan pranë në këto orë tmerri deri në frymën e fundit.
“Ishte ora 04.20-04.30, shikojmë aty kishte një dorë jashtë, u tmerruam, Bukurije Leka ishte e varur, e ëma ishte te këmbët, aman nxirrni, lutej, por nuk kishim çfarë i bënim ne. Një shoku jonë po bënte me elektrik, i thirra hajde këtu se e keni këtu, por nuk kishin çfarë t’i bënin se kishte shumë rrënoja. Pastaj jemi kthyer përsëri te vëllai i Klementit ”, thotë një prej dëshmitarëve.
“Aty kunata, nusja e vëllait ishte e vdekur, e konfirmuan këtë, pastaj edhe vëllai, Klementi ishte i gjallë, në çdo kohë bërtiste më shpëtoni jetën. Erdhën ndërhyrjet tona jo me mjetetet e duhura. Deri në orët e vona ishim me shpresë se do e shpëtonim Klementin, në çdo kohë thoshte vetëm më shpëtoni jam shtrënguar vetëm në brez dhe poshtë”, rrëfen xhaxhai i Klementit.
Reportazhi i përgatitur nga gazetarja Luljeta Progni në Thumanë, një javë pas tërmetit.