Dosja.al ka siguruar videon e vrasjes së biznesmenit Kastriot Reçi.
Siç shihet në pamje, biznesmeni 47-vjeçar zbret nga një makinë tip “Mercedes Benz”, dhe afrohet tek një grua e cila ka përdore një fëmijë të mitur. Teksa përshëndetet me gruan, të cilën e puth në faqe, Reçi nis të puthë dhe të gëzojë fëmijën.
Në këtë moment, ai është qëlluar me snajper vetëm një herë dhe menjëherë ka rënë përtokë. Plumbi që sipas grupit hetimor e ka kapur në zemër, ka ardhur nga një largësi prej 250 metrash, nga kati i shtatë i një pallati.
Biznesmeni Kastriot Reçi u vra mesditën e djeshme në qendër të Rrëshenit, sapo doli nga lokali i tij. Ajo çfarë dihet me siguri tashmë është se ai është qëlluar me snajper nga një pallat 9-katësh me distancë rreth 250 metra nga vendi i krimit.
Burimet nga grupi hetimor thanë se ekzekutori dyshohet të jetë qitës profesionist pasi ka qëlluar me precezion të lartë, duke lënë të vdekur Reçin me një plumb të zemër.
Sakaq, burime për abcnews.al thanë se “për të realizuar vrasjen, snajperisti është futur në banesën e shokut të Armando Gjinit”.
Abc News transmetoi live pamjet nga kjo banesë që shihet se është e braktisur. Policia ka marrë në pyetje pronarin e kësaj banese, por ai ka thënë se nuk ka dijeni pasi nuk banonte aty, ndërsa autori ka thyer derën për të hyrë brenda.
Burimet thanë se po hetohet pista e hakmarrjes, konflikte të vjetra që mund të ketë patur viktima Kastriot Reçi. Kujtojmë se edhe Armando Gjinin e kanë vrarë në Rrëshen 6 muaj më parë. Edhe kjo është një ngjarje e mbetur pa autor.
Vrasja e Gjinit
Armando Gjini i njohur si një nga pjesëtarët e grupit të Met Kananit, u ekzekutua në qendër të qytetit të Rreshenit në gusht të vitit 2019.
Ai po lëvizte me makinë bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten e tij, kur dy persona kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur. 48-vjeçari kishte dy identitete, Armando Gjini dhe Tonin Gjini.
Armando Gjini u arrestua me 12 maj 2018 si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani.
Në kuadër të operacionit ‘Precizioni’ Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë dhe u sekuestruan 8 ton drogë. Por 4 ditë pas arrestimit, Gjini u lirua nga burgu.
Atentati ndaj Armando Gjinit, hetimet në 3 pista
/abcnews.al