Finalet janë nga ato ndeshje që askush nuk do t’i humbë dhe përjashtim nuk bëjnë as Real Madrid me Liverpool. Që në fillim të dy ekipet treguan se nuk duan të lënë hapësira, sidomos madrilenët që i druheshin shpejtësisë së anglezëve.
“The Reds” ishin më konkretë dhe iu afruan golin në 15 minutat e para të ndeshjes me Mohamed Salah, i cili u ndal nga portieri Courtois. Më pas provoi edhe Thiago në hyrje të zonës, por belgu ishte në gatishmëri.
Në minutën e 21-të Liverpool ishte i pafat, pasi shtylla ndali sulmuesin Sadio Mane. Në fundin e pjesës së parë provoi edhe Henderson fluturimthi nga jashtë zone, por e çoi topin jashtë. Minuta e 43-të solli një tjetër moment kulminant.
Benzema në mundësin e parë nuk goditi dhe më pas pati një rrëmujë. Sulmuesi nuk fali kur i shkoi topi me një devijim të Fabinho, por ishte në pozicion jashtë loje. U deshën disa minuta që arbitri ta merrte vendimin dhe topi i kthyer nga braziliani nuk ishte me qëllim dhe kështu ndeshja mbeti 0-0.
Liverpool e nisi me vrull pjesën e dytë dhe rrezikoi menjëherë me Luis Diaz, ndërsa Reali tregoi edhe një herë se janë ekspertë finalesh. Në minutën e 59-të, Valverde me një diagonale të fortë e çoi topin te Vinicius Junior dhe braziliani nuk fali, duke ndëshkuar anglezët.
Skuadra e Klopp nuk kishte çfarë humbte dhe Courtois iu përgjigj si duhet një goditje të kalibruar nga Salah.
Vazhdimi ishte përsëri për Liverpoolin i cili provoi disa herë me Salah dhe shokë, por Courtois ishte i jashtëzakonshëm duke mbajtur rrjetën të paprekur me disa pritje të mahnitshme.
Real Madrid fiton trofeun e 14-të të Champions League, ndërsa Ancelotti i pari trajner që fiton 4 trofe të Champions, përkatësisht me Milanin 2 dhe me Realin 2./ h.ll/abcnews.al