VIDEO/ Bundesliga nis javën e 28-të me goleadë, Schalke triumfon në “betejën e mbijetesës”

schedule22:39 - 14 Prill, 2023

schedule 22:39 - 14 Prill, 2023

Kampionati gjerman i futbollit, Bundesliga ka nisur mbrëmjen e sotme siparin e javës së 28-të, ku përballë njëra-tjetrës ishin 2 skuadrat e fundit të tabelës, Schalke e Hertha Berlin, me vendasit e Schalke, që “Veltins Arena” të Gelsenkirshenit, “çmontuan” kundërshtarët me rezultatin e thellë 5 me 2.

Vendasit e nisën me shumë vrull sfidën dhe shënuan 2 herë brenda 13 minutave të para, fillimisht me Skarke në minutën e 3’-të të sfidës e më Bulter dyfishoi shifrat 10 minuta më vonë, mirëpo pjesa e parë nuk mbaroi me kaq, pasi në “frymën e fundit” të lojës, më konkretisht në minutën 45+2’, ish-“bomberi” i Inter e Manchester City, Stevan Jovetic tundi rrejtën e vendasve, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2 me 1.

Ashtu si në fraksionin e parë të lojës, edhe në të dytin vendasit e nisën me vrull teksa arritën të gjenin golin e 3-të, pas vetëm 3 minutash lojës, me gjermanin Simon Terodde, i cili mposht lehtësisht portierin e miqve, me një goditje brenda zone. Pas golit të Terodde do të shënoheshin dhe 3 të tjerë, fillimisht nga Bulter për ta çuar rezultatin në 4 me 1 në minutën e 78’-të e 6 minuta më vonë Richter do të shënonte për miqtë. Ndërsa, për të “vulosur” rezultatin 5 me 2 mendoi mbrojtësi polak Marcin Kaminski, në minutën e 91’-të të sfidës.

Me këtë fitore Schalke ngjitet në vendin e 16-të dhe shkon në kuotën e 24 pikëve, duke i shtuar akoma më shumë shpresat për një qëndrim në Bundesliga, ndërsa kryeqytetasit e Hertha bien në vendin e fundit me 22 pikë në 28 ndeshje. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!