VIDEO/ Bradley Beal “magjik”, por Milwauke Bucks e nxjerr duarbosh

schedule13:15 - 25 February, 2020

schedule13:15 - 25 February, 2020

Një duel i madh u zhvillua mbrëmjen e fundit në basketbollin amerikan. Milwaukee Bucks arriti të fitonte ndaj Washington Wizards falë paraqitjes së shkëlqyer të Khris Middleton.

Jo gjithnjë janë heronjtë që shpëtojnë shokët e tyre. Shpesh ndodh e kundërta dhe në basketbollin amerikan nuk ishte mbrëmja e kapitenit Giannis Antetokounmpo, por e Khris Middleton dhe e gjithë skuadrës.  Milwaukee Bucks kaloi një provë të jashtëzakonshme në fushën e Washington Wizards, duke rritur edhe më tej bilancin e sezonit në NBA, ndërsa u desh të përballej me një yll në momentin e jetës.

Bradley Beal realizoi 55 pikë, duke vendosur rekordin e karrierës për të dytën herë radhazi, por sërish Milwaukee Bucks ia doli të fitonte 137-134. Antetokounmpo shënoi 22 pikë, duke luajtur më pak se 25 minuta, me gjasë për shkak të ndonjë dëmtimi ose sepse trajneri dëshiron që të mos e lodhë shumë.

Ai kapi edhe 14 topa në tabela e dha 2 asiste, por udhëheqjen e mori Middleton me 40 pikë në 41 minuta lojë, duke pasur edhe 5 tabela, 5 asiste e 3 vjedhje topi. Eric Bledsoe shënoi 23 pikë dhe iu afrua regjistrimit të “triple double” (7 topa në tabelë, 10 asiste), kurse Donte DiVincenzo pati 12 pikë e 10 tabela. Hill regjistroi 14 pikë e kështu disa të tjerë.

Për Bradley Beal këto kanë qenë mbrëmjet më të bukura që ai mban mend, të paktën në sport. Ylli i Uashingtonit kishte shënuar 53 pikë një ndeshje më parë në fushën e Çikagos, ndërsa tani arriti 55, pra ka 108 pikë në dy sfida.

Gjithsesi, ai duhet të ndihmohet më shumë nga shokët, apo të jetë më i vazhdueshëm që skuadra e tij të arrijë në “play off”. Milwaukee Bucks, ndërkaq, ka 49 fitore e 8 humbje, duke qenë i kualifikuar për në “play off”, e duke qenë favorit për titullin, madje edhe kur Antetokounmpo nuk është më i miri. /abcnews.al