Ndërkohë që Sali Berisha po mban fjalimin e tij të gjatë në Kuvendin e thirrur prej tij, në ambientet stadiumit “Air Albania” delegatët janë duke votuar në lidhje me shkarkimin ose jo të kryedemokratit Lulzim Basha.
Më herët, delegatët kishin votuar pro shkarkimit të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.
Ndryshe nga ata, për të cilët u votuan me dorë, Kuvendi vendosi që për Bashën të bëhej votim i fshehtë.
Gjatë fjalës së tij lideri historik i PD-së Sali Berisha sulmoi hapur dhe ashpër ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim duke deklaruar se po sillet në Shqipëri si guvernatore, “njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik“. Ish-kryeministri e cilësoi mjerane dhe brutale ndërhyrjen e Yuri Kim në Shqipëri.
“Kundër nesh peng-kryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-ja. Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’u them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër, në historinë tonë pakkush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu sikur e cilësoi Presidenti amerikan Regan, ishte perandoria e së keqes, e degradimit të njeriut, e mjerimit, e dhunës, terrorit”, thai ai. /abcnews.al