VIDEO/ Barazim spektakolar në Madrid, Hazard shpëton Realin në limite

schedule22:54 - 9 Maj, 2021

schedule 22:54 - 9 Maj, 2021

Mbyllet pa fitues dueli Real Madrid-Sevilla. Sfida e luajtur në kryeqytetin spanjoll përfundoi në barazim 2-2. Ndeshja ishte e bukur dhe plot emocione, teksa djemtë e Zinedine Zidane humbën një shans të artë për t’iu bashkuar Atletico Madrid në krye të renditjes.

“Los Blancos” e gjetën shpejt golin e avantazhit kundër skuadrës andaluziane, por VAR-i anuloi gjithçka. Minuta e 12-të, kros i bukur i Alvaro Odriozola nga krahu i djathtë dhe finalizim me kokë i francezit Karim Benzema.

Festë tek ekipi i Zidane, por VAR-i anuloi golin e sulmuesit për pozicion të parregullt. Sevilla e shfrytëzoi këtë situatë dhe gjeti golin dhjetë minuta më vonë. Autori ishte Fernando, mesfushori brazilian i ekipit të Lopeteguit.

33-vjeçari tregoi gjithë klasin e tij në zonën kundërshtare, nxori blof Casemiron me një driblim të bukur dhe dërgoi topin në rrjetë falë një goditje potente dhe të saktë. Kaq për pjesën e parë, teksa fraksioni i dytë i sfidës ishte edhe më i zjarrtë.

Marko Asensio finalizoi me gol një aksion të bukur të Realit në minutën e 67-të, ndërsa VAR-i u bë protagonist në minutën e 78-të. Benzema pretendoi për një penallti, por teknologjia pa diçka të gabuar në zonën vendase.

 

Renditja në La Liga

Penallti, por për Sevillan. Ivan Rakitic nuk gaboi nga pika e bardhë dhe ekipi mik në avantazh. Reali u hodh në sulm dhe ia doli të evitojë disfatën falë golit të Eden Hazard në minutën e katërt shtesë. Përfundimisht 2-2, rezultat që gëzon Atletico Madrid. /abcnews.al