Video/ ABC News siguron pamjet e arratisjes së të riut nga Gjykata

schedule10:51 - 23 Maj, 2018

schedule 10:51 - 23 Maj, 2018

ABC News siguroi videon e arratisjes së Mikel Kasës nga salla e gjyqit, në përfundim të vendimit të dënimit të tij më 3 vite e 4 muaj burg. Në video shihet sesi i riu hidhet nga tavolina, duke u shpëtuar forcave të sigurisë dhe më pas shihen efektivët që vihen në ndjekje të tij.

Një i ri mundi të arratisej nga ambjentet e gjykatës së Vlorës sapo u dënua me 3.4 vjet burg me gjykim të shkurtuar. Ai është Mikel Kasa 29 vjeç dhe i shpëtoi togës së shoqërimit në sallën e gjyqit. Siç shikoni nga pamjet ai ka kapërcyer tavolinën mes përmes avokatit, prokurorit dhe policit të shoqërimit. Më pas ka dalë nëpër korridor dhe ka vrapuar jashtë godinës së gjykatës.

Mikel Kasa sot u përball me vendimin e formës së prerë me 3.4 vjet burg për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Gjysëm orë pas ngjarjes policia shpërndau foton e të arratisurit dhe kërkoi ndihmë për kapjen e tij. Sipas policisë ai mban veshur një palë pantallona të zeza dhe një bluzë rozë.

Prokuroria e Vlorës mbi bazën e informacionit të prokurorit të çështjes Saimir Smaka filloi veprimet hetimore për arratisjen nga gjykata e Vlorës të shtetasit Mikel Kasa. Hetimet filluan nga prokurorja dhe oficeri i prokurorisë që janë të gatshëm.

Ndërkohë janë shoqëruar tre punonjësit e policisë së burgjeve që kanë patur detyrën e shoqërimit të të arrestuarit dhe do të kryhet arrestimi i tyre.

Pas arratisjes së Mikel Kasës, Kreu i gjykatës së Vlorës Skënder Haluca tha se i pandehuri u largua në përfundim të vendimit të dënimit.

Haluca: “I pandehuri ishte duke pritur vendimin dhe në përfundimit të shpalljes së vendimit ai u largua me vrap korridoreve të gjykatës, duke iu shpëtuar forcave të policisë. Në këtë gjykatë në këto ambjente ndodhin përditë ngjarje të ndryshme”./abcnews.al