Vëzhguesi i Nisma-s përjashtohet nga qendra e numërimit, kërcenoi zyrtarët

schedule14:09 - 17 Nëntor, 2019

schedule 14:09 - 17 Nëntor, 2019

Vëzhguesi i Nismës Socialdemokrate, Behar Amërllahu është përjashtuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë ndërkohë që policia po bën hetime lidhur me këtë rast.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve Burim Ahmetaj tha se Amerllahu kishte përdorur të shtunën gjuhë fyese dhe kërcënime ndaj zyrtarëve në QNR. Ndërkohë që vazhdon rinumërimi I pothuaj gjysmës së vendvotimeve në Kosovë, mediat në Prishtinë raportojnë se marrëveshja për koalicionin e ardhshëm qeverisës midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të përfshijë edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa. Insistimi i LDK-së që të diskutohet edhe për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021, ndërlidhet me faktin se nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje, prandaj LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë. Ndërsa Vetëvendosje, nuk e preferon shumë debatin për presidentin në këtë fazë, por i bën thirrje LDK-së që të mos presë më certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për t’u marrë vesh rreth ndarjes së ministrive.

LDK nuk konteston postin e kryeministrit për Albin Kurtin, por bisedimet më të vështira kanë të bëjnë me postin e Presidentit dhe atë të ministrit të Jashtëm. Politologu Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se presidenti ka mandat edhe një vit e gjysmë dhe qeveria e ardhshme nuk do të bëjë ndonjë “puç institucional” dhe të largojë presidentin duke fabrikuar arsyet. Ai thotë gjithashtu se ministri i jashtëm, ndryshe nga deri tani, duhet të jetë një personalitet me kredibiltet dhe me përvojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!