Vëzhgim i Abc News, shkollat në kryeqytet drejt përgatitjeve të fundit për të pritur nxënësit

schedule13:24 - 12 Shtator, 2020

schedule 13:24 - 12 Shtator, 2020

Maksi Rama

Shkollat në kryeqytet janë drejt përgatitjeve të fundit për ti hapur dyert më 14 shtator për fillimin e këtij viti shkollor. ABC News bëri një vëzhgim në shkolla, ku pa se është vendosur sinjalistika për hyrjet dhe daljet e nxënësve, ndërsa nëndrejtoresha e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” jep të tjera detaje si do të zhvillohet mësimi në kushte pandemie.

Na ndajnë pak ditë nga viti i ri shkollor dhe shumica e shkollave në kryeqytet po bëjnë përgatitjet e fundit për të pritur nxënësit në një situatë të pazakontë pandemie.

ABC News ishte në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në kryeqytet, për të parë nga afër si do zbatohet protokolli i sigurisë për rreth 1500 nxënës, me turne mësimi prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 17:30

“Duke qenë se jemi një shkollë e madhe, këtu mësojnë rreth 1,494 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën. Sipas MSH, turni është ndarë në 4 nënturne të vogla. Vetëm klasat e para do të mësojnë në turnin e parë..,” thotë Marina Dallshi, nëndrejtoreshë e fillores “Kongresi i Manastirit”.

Nëndrejtoresha Dallshi thekson se prej 14 shtatorit në një klasë nuk do ketë më shumë se 15 nxënës që të ruhet distanca. Po ashtu janë marrë masat edhe për hyrje daljet e tyre.

Nga ana tjetër disa prindër pranë shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë shprehen se janë njoftuar se si do funksionojnë turnet e mësimit dhe janë pajtuar me rregullat e reja për shkak të pandemisë

“E kam vajzën në klasë të tetë, dy turne na kanë thënë,” thotë një prej prindërve.

Procesi mësimor rikthehet këtë të hënë pas ndërprerjes nga Covid-19 në muajin mars, ku mësimi u zhvillua online dhe shkaktoi mjaft pakënaqësi tek nxënësit e prindërit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!