Vettingu zbrazi gjykatat, Manja: Do të ndryshojmë ligjet e reformës, delegohen magjistratë të rinj

schedule15:52 - 31 Janar, 2020

schedule 15:52 - 31 Janar, 2020

Institucionet e reja po hasin vështirësi në zbatimin e reformës në drejtësi dhe kërkojnë ndërhyrjen e Kuvendit që ligjet bazë të korrigjohen, në mënyrë që këto organe të funksionojnë.

Vettingu ka zbrazur gjykatat e prokuroritë, ndaj duhet të ndërhyhet në ligj që të delegohen magjistratë të rinj për çështje të caktuara.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja njofton se Kuvendi do të veprojë për të dhënë shpejt ndihmën e tij.

“Ndryshimet që kërkon Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i prokurorisë lidhur me qartësimin e disa dispozitave lidhur me skemën e delegimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë diktuar edhe nga vetingu. Ndryshimet konsistojnë në shkurtimin e afateve kohore për ta bërë më fleksibël skemën e delegimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të mos krijuar problem në gjykimin e çështjeve.”

Një tjetër ndërhyrje do të bëhet për të mundësuar ndëshkimin e prokuroreve e gjyqtareve qe shkelin ligjin. Mazhoranca është tërhequr nga ideja që këto kompetenca ti marrë përkohësisht KLGJ dhe KLP, e ka vendosur që të ndihmojë të sapo zgjedhurin Artur Metani, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë  të ngrejë skuadrën e tij.

 “Në ligj është përcaktuar ngritja brenda 6 muajve e këtij institucioni, por ka lindur nevoja të kemi një dispozitë tranzitore konkrete lidhur me skemën e delegimit të magjistratëve pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të filluar një orë e më përpara inspektimet në gjykata dhe prokurori pasi në këtë fazë mungon llogaridhënia e sistemit.”

Por pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, Manja thekson se thelbi i 7 ligjeve bazë të reformës në drejtësi nuk do të preket.

“Ligjet e reformës nuk mund të preken përveçse kur nevoja e ndryshimit vjen nga këto institucione dhe në konsultim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, Euralius dhe Opdat.”

Këto ndryshime ligjore do të miratohen bashkë me nismën e mazhorancës për të hequr nga duart e presidentit betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!