Me vijimin e procesit të Vettingut pas Gjykatës Kushtetuese, drejt mosfunksionimit të saj është dhe Gjykata e Lartë. Shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtarit Artan Broci, bën që kjo Gjykata nga 19 anëtarë të mbetet vetëm me katër, pas konfirmimit në detyrë të Mehdi Bicit. KPK shkarkoi nga detyra dhe prokurorin Dritan Rreshka, ndërsa zhvilloi seanca dëgjimore për dy gjyqtarë dhe një prokuror.
Disa muaj pasi bëri jofunksionale Gjykatën Kushtetuese, procesi i Vettingut ka nxjerrë “jashtë loje” edhe Gjykatën e Lartë. “Pika e kthesës” ishte vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Broci.
Me shumicë votash trupa e KPK vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Kjo vendimarrje la Gjykatën e Lartë me katër anëtarë, nga 19 që gjyqtarë që duhet të ketë në total, duke e bërë të pamundur formimin e një Kolegji Penal, Civil apo Adminstrativ 5 anëtarësh.
Broci nuk ishte prezent në sallë, por përmes një reagimi publik ai njoftoi vazhdimin e betejës ligjore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
“K.P.K si komisarët politik të kryeministrit nuk dolën dot nga urdhërat politik. U provova se të ardhurat e mia janë të ligjshme, të konfirmuara nga Tatimet, kalova në pikëpamjen time të tre testet pasuror, profesional dhe figurën, por nuk kalova dot testin e nënshtrimit për çështje të caktuara dhe atë të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Beteja ime ligjore do vazhdojë deri ne fund”, thuhej në reagimin e Brocit.
Vendimi i mëvonshëm la të pandryshuar balancën e Gjykatës së Lartë.
Gjyqtari Medi Bici u konfirmua në detyrë, duke u bërë kështu gjyqtari i katërt dhe i fundit i Gjykatës së Lartë, që kaloi me sukses kontrollin e trefishtë. Përveç ndarjes së emocioneve pozitive, Bici pranoi edhe ngërçin në të cilin gjenedet institucioni.
Fatin e Bicit nuk e pati prokurori Dritan Rreshka, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Tiranës.
Në seancën degjimore të zhvilluar të premten, KPK relatoi disa pasaktësi në deklarimet e prokurorit, si dhe mospërputhje vlerash. Vetë Rreshka tha se gjetjet e ILDKP ishin të njëanshme dhe të pabazuara.
Ndërkohë KPK zhilloi të martën seancat dëgjimore për dy gjyqtare dhe një prokuror, të cilët njëri pas tjetrit kërkuan konfirmim në detyrë.
Për gjyqtarin Dritan Hallunaj institucionet ndihmëse të KPK kishin përcjellë raporte pozitive për deklarimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Hallunaj zotëronte një apartament në kryeqytet, të blerë me kredi, një automjet, si edhe një llogari bankare prej gati 40 mijë euro.
KPK vlerësoi të justifikuara në burime të ligjshme edhe dhuratat prej 3 milionë lekë dhe 30 mijë euro dhënë nga baballarët e bashkëshortëve, ku njëri prej tyre kishte shitur një truall në Shkodër dhe tjetri kishte siguruar të ardhura nga puna si stomatolog.
Në seancën tjetër, ILDKPKI relatonte pasuri të deklaruar saktë për gjyqtarin e Apelit Administrativ, Artur Malaj. Gjyqtari kishte dy troje të përfituar me ligjin 7501 në Llakatund, Vlorë, një apartament në kryeqytet, garazh dhe një automjet.
Ndonëse konstatoi disa parrugullsi në shuma të papërfillshme, KPK vlerësoi si të deklaruar saktë ndër vite dhe të justifikuara edhe tre llogari të bashkëshortes së tij, gati 200 mijë euro në total, të pëfituara nga puna e saj si notere.
Komisioni rrëzoi raportin e DSIK për papërshtatshmëri të gjyqtarit, duke vlerëuar se raporti i përcjellë qëishte i pasaktë dhe i pabazuar në prova.
Ndërsa për zv.drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gentian Osmani, KPK konstatoi disa probleme me justifikimin e shpenzimeve të tij. Prokurori kishte deklaruar blerjen e një apartamenti 82 mijë euro, përmes shitjes së një apartamenti tjetër të blerë në vitin 2009 në vlerën 63 mijë euro.
Komisioni pa si problematike justifikimin e kësaj shume, të deklaruar si të siguruar përmes një dhurate 1.5 milinë lekë nga prindërit e bashkëshortes, hua prej 20 mijë euro tek një kushëri në Itali dhe kursime të bashkëshortëve.
Ndërkohë, Osmani justifikonte me dokumentacion blerjen e një automjeti dhe mbajtjen në përdorim të një tjetri. Vendimet përfundimtare për gjyqtarët Hallunaj e Malaj dhe prokurorit Osmani do të shpallen në 1 dhe 2 Gusht./abcnews.al