Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të martën seancën dëgjimore për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi. Në relatimin e Komisionit, Zefi figuronte më një sërë problemesh për mosdeklarimin e pasurisë, si edhe dyshimeve të ngritura nga DSIK për përfshirje në afera korruptive.
Arben Zefi, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, ishte gjyqtari i radhës që u ul para një tresheje gjykuese të vettingut. Procesi i rivlerësimit kalimtar duket se do të jetë një sfidë jo e lehtë për gjyqtarin. Raporti i përcjellë në KPK nga ana e ILDKP fliste për deklarim të saktë, pasuri të pafshehur dhe mungesë deklarimi të rremë.
Por ky raport nuk kishte asnjë pikë të përbashkët me relacionin e bërë në përfundim të hetimit administrativ të KPK. Sipas komisionit, gjyqtari kishte pamjaftueshmëri financiare për pagesën e kryer për një apartament prej 132 metër2.
Ai kishte një sërë pasaktësish në deklarimet ndër vite dhe në deklaratën vetting, për dy automjete të familjes. Një prej mjeteve, ndonëse i pa çregjistruar nga emri i bashkëshortes së tij, ishte shkëmbyer me një mjet tjetër. Komisioni evidentonte dhe çudinë e shkëmbimit të mjeteve në vlera jo të njëjta.
Gjyqtari Zefi sipas KPK nuk kishte deklaruar qartë edhe likuiditetet e tij në një bankë të nivelit të dytë, apo një kredi prej 50 mijë euro, përmes të cilës do të përfitonte një pasuri të paluajtshme. KPK vërejti dhe një rast ku Zefi në kushtet e konfliktit të interesit kishte shqyrtuar një padi të një kompanie tregtare me të cilën kishte marrëdhënie kontraktore.
Por ajo që vështirëson sfidën e Zefit me vettingun duket raporti i përcjellë nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Sipas DSIK, Zefi ka kontakte të papërshtatshme dhe dyshohet për përfshirje në disa afera korruptive. Raporti përfundonte me përcaktimin e Zefit si të papërshtatshëm.
Fakti ka rezultuar i provuar edhe nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga KPL dhe ONM. Vetë gjyqtari Zefi kundështoi të gjitha gjetjet e bëra nga KPK. Sipas tij pasuria ishte e justifikuar dhe e siguruar në burime të ligjshme.
Në një tjeër seancë, mëngjesin e së premtës KPK shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela. Gjatë seancës dëgjimore ndaj tij, të zhvilluar javën e kaluar, KPK konstatoi një sërë parregullsish me pasuritë e tij, si edhe një raport negative nga DSIK. /abcnews.al