Ligji për Vetingun në policinë shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Associated Press, që citohet dhe nga media të tjera, thekson se lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është sfidë kryesore për Shqipërinë.
Lajmi për Vettingun në radhët e policisë në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që e kanë pasqyruar gjerësisht atë. Agjencia prestigjoze e lajmeve “Associated Press” thekson se “qeveria shqiptare po kërkon të spastrojë mollët e këqija nga forcat e saj policore”. Ndërsa më tej nënvizon se “një projekt-ligj, që ekzekutivi miratoi të mërkurën bën thirrje për verifikimin e 13,000 policëve të Shqipërisë”.
Gjithashtu citohet zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i cili thotë se “autoritetet dëshirojnë të rishikojnë të shkuarën e profesionale dhe personale të oficerëve në mënyrë që të shkarkohen disa individë, elementë që janë përfshirë në krim, korrupsion dhe që nuk janë treguar profesionistë”.
“Associated Press” nënvizon se lufta kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht trafikimi i drogës është një sfidë kryesore për Shqipërinë.
“Ky shtet është anëtar i NATO-s, që prej 2009 dhe ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian në 2014-n. Gjithashtu shpreson të fillojë negociatat për anëtarësim gjatë këtij viti”, thekson agjencia ndërkombëtare. Gjithashtu bën me dije se procesi i Vettingut po zhvillohet edhe ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të Shqipërisë. “Korrupsioni ka dëmtuar Shqipërinë postkomuniste dhe ka dëmtuar institucionet e saj demokratike”, përfundon shkrimi.
Ndërkohë, artikulli i “Associated Press” është shpërndarë nga media të shumta ndërkombëtare si Fox News, Abc News, Uashington Post e shumë të tjera./abncews.al