Fundi i Korrikut u përcaktua nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për nisjen e procesit të Vetting-ut në radhët e Policisë. 45 dosjet e para për drejtuesit e Policisë së Shtetit me gradën më të lartë kanë përfunduar, ndërsa vendi ku do të zhvillohen seancat dëgjimore është përcaktuar Pallati i Kongreseve.
Janë shqyrtuar 45 dosjet e para për oficerët me gradën më të lartë në Policinë e Shtetit dhe nisja e procesit të Vettingut në radhët e uniformave blu është çështje ditësh.
Burime nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, pohojnë për ABC News se në fund të muajit Korrik është parashikuar që të nisin seancat dëgjimore me subjektet e rivlerësimit ne radhët e policisë, të ngjashme me ato që zhvillohen në sistemin e drejtësisë për gjyqtarët dhe prokurorët.
Po kështu është përcaktuar që seancat dëgjimore të Vettingut në Polici do të zhvillohen në të njëjtat mjedise në Pallatin e Kongreseve. Me përfundimin e shqyrtimit të 45 dosjeve nga 250 në total të oficerëve me gradat më të larta, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka përcaktuar edhe 15 anëtarët e tij të ndarë në 3 grupe me nga 5 përfaqësues.
Ata do të krahasojnë, vërtetësinë e deklarimeve të drejtuesve të policisë për tre 3 kriteret e përcaktuara, aftësitë profesionale, pasuria dhe integriteti. Në krye të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është përcaktuar Ana Kapaj, ndërsa anëtare janë Artur Baku, Marjeta Gjelaj dhe Sonila Kadareja. Po kështu edhe dy komisionet e tjera përbëhen nga 5 anëtarë secili, përfaqësues nga ILDKPI dhe nga radhët e pedagogëve.
Në total do të kalojnë në filtrat e Vettingut 13 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, për çdonjërin prej të cilëve sipas ligjit, do të mbahet seancë e hapur dëgjimore për mediat dhe qytetarët.
Në dy fazat e tjera të Vettingut, dosjet e efektiveve blu do të shqyrtohen nga drejtuesit e SHÇBA-së dhe ata të policisë së Shtetit, të cilët kanë kaluar me sukses fazën e parë të Vettingut./ABC News Albania 24/7